Cungu: Ekipi im sot humbi 2 pikë

Futboll

Cungu: Ekipi im sot humbi 2 pikë

Më: 16 mars 2024 Në ora: 20:34
Armando Cungu

Erzeni dhe Laçi kanë barazuar me njëra-tjetrën në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të “Abissnet Superiore”. Ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë përfundoi me rezultatin 0-0.

Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN foli trajneri i kurbniasve, Armando Cungu.

“Nuk mendoj se është çështje presioni. Ishte ndeshje më e mirë nga ne, sidomos në pjesën e parë ku dominuam. Me pak kujdes mund të shënonim.

Mund ta quaj ndeshje pozitive, por rezultati nuk është i pritshëm nga ne pasi donim 3 pikët. Gjithsesi do të vazhdojmë përpara dhe të punojmë shumë pasi kemi shumë problematika”, u shpreh fillimisht Cungu.

“Unë mendoj se sot humbëm dy pikë. Ekipi krijoi situata të mira, por na mungoi finalizimi diçka që e ka vuajtur edhe para se të vija unë.

Kjo shihet edhe në statistikat e golave të shënuar. Shpresojmë në përmirësimin e lojtarëve në këtë aspekt.

Nuk mendoj se e ka reparti i sulmit fajin, por duke filluar nga unë e deri te portieri. Rrezikova më tepër se duhet duke mbajtur Nebuezen më tepër në lojë. Nuk na doli siç pritej, nuk kishim mundësi të tjera thjeshtë të ndryshonim mesfushorë”, tha më tej trajneri i Laçit.

Situata e mosshënimit të golave?

“Nuk rregullohet për 1 ditë kjo gjë. Unë si trajner jam munduar të implementoj idetë e mia.

Deri diku, sot mendoj se diçka e kemi bërë.

Si trajner dua që të bëjmë më të mirën edhe në stërvitje që të jemi më rezultativ edhe te porta. Nuk është gjithmonë vetëm faji i sulmuesit, duhet të kontribuojnë të gjithë. Ajo që unë garantoj, është puna ime. Djemtë kanë filluar të përmirësohen.

Sidoqoftë kërkohet akoma më tepër. Pauza e kombëtareve? Na ndihmon që të kuptojmë njëri-tjetrin më tepër.

Nuk kanë mbetur shumë ndeshje dhe duhet të jemi më afër me njëri-tjetrin".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat