Mbrojtësi kuqezi impresionon skautët e Juves

Futboll

Mbrojtësi kuqezi impresionon skautët e Juves

Më: 23 mars 2024 Në ora: 17:24
Mario Mitaj

Mario Mitaj ishte në lupën e skautëve të Juventusit në përballjen miqësore mes Shqipërisë dhe Kilit.

Media torineze “Tuttosport” raportoi se mbrojtësi 20-vjeçar shihet si një futbollist i të ardhmes nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” që e kanë studiuar nga afër futbollistin nga Malësia e Madhe.

Mediat italiane kanë raportuar këtë të shtunë se Mitaj ka marrë një vlerësim shumë pozitiv nga skautët e bardhezinjve. 20-vjecari ka përmbushur pritshmëritë dhe gjasat janë që në verë Juventus të ulet në bisedime me Lokomotivën e Moskës, për të blerë kartonin e futbollistit kuqezi.

Cristiano Giuntoli ka monitoruar nga afër anësorin e majtë dhe ka mbetur i impresionuar nga ajo që ka dhënë në fushë Mitaj, ndonëse Shqipëria nuk arriti dot që të dalë në lojën e saj. Edhe pse Juventus do të studiojë tregun para se të marrë vendimin përfundimtar, Mitaj favorizohet nga fakti se kartoni i tij nuk është shumë i shtrenjtë dhe një operacion për të nuk do të ishte shumë i kushtueshëm.

Mitaj numëron 11 ndeshje me Shqipërinë, teksa për herë të parë u grumbullua në ekipin e parë nga Edoardo Reja. Ky i fundit pak ditë më parë dha një intervistë në mediat italiane, ku deklaroi se Mitaj është një lojtar i përkryer për skemën që aplikon Juventus.

Vera pritet të jetë e nxehtë për Mitajn, i cili me shumë gjasa do të ndryshojë ambient, por me interesimin e Juventusit, 20-vjeçari mund të bëjë hapin e madh në karrierë, duke u bërë pjesë e një prej skuadrave më të mëdha në Itali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat