Gjermania thotë se do të kryejë kontrolle kufitare gjatë Kampionatit Evropian

Futboll

Gjermania thotë se do të kryejë kontrolle kufitare gjatë Kampionatit Evropian

Më: 26 mars 2024 Në ora: 11:49
Policia

Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare në të gjithë kufijtë e vendit gjatë Kampionatit Evropian të futbollit në qershor dhe korrik, njoftoi të martën ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Faeser tha për gazetën e përditshme Rheinische Post se do të kryhen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë gjatë turneut të futbollit “për të qenë në gjendje të mos i lejojmë të futen brenda kriminalët e mundshëm të dhunshëm”.

“Kjo është e nevojshme për ta mbrojtur këtë turne të madh sa më mirë që mundemi”, tha ajo.

Përqendrimi i autoriteteve është mbrojtja kundër ekstremistëve islamistë dhe ekstremistëve të tjerë, kundër huliganëve dhe të tjerëve, si dhe t’i sigurojnë rrjetet kundër sulmeve kibernetike, tha ajo.

Komentet e Faeserit vijnë pak ditë pas një sulmi ndaj një salle koncertesh në Moskë, përgjegjësinë për të cilin e mori një grup i lidhur me Shtetin Islamik.

Megjithatë, vendimi për t’i kthyer kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit pritej kohë më parë.

Kjo është bërë një praktikë standarde për vendet në zonën e lëvizjes së lirë në Evropë, e njohur si Zona Schengen, gjatë ngjarjeve të mëdha sportive dhe samiteve të mëdha.

Gjermania është duke kryer kontrolle kufitare tashmë në lindje me Poloninë dhe në jug me Republikën e Çekisë, Austrinë dhe Zvicrën, për shkak të emigrantëve.

Kampionati Evropian fillon më 14 qershor. Gjermania, si nikoqire, e luan ndeshjen hapëse kundër Skocisë në Munih.

Finalja e Evropianit do të zhvillohet në Berlin më 14 korrik./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat