Broja sërish “tifoz” në Angli

Futboll

Broja sërish “tifoz” në Angli

Më: 30 mars 2024 Në ora: 15:53
Pamje nga një ndeshje

Armando Broja sërish tifoz në Angli.

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare është lënë sërish jashtë skuadrës nga trajneri i Fulham, Marco Silva, i cili duket se ka zgjedhur t’u besojë vetëm futbollistëve në pronësi të klubit, i ndihmuar edhe nga komoditeti që i jep renditja.

Në transfertën e Fulhamit ndaj Sheffield United, Broja është lënë sërish jashtë grumbullimit, ashtu si dy javë më parë në ndeshjen ndaj Tottenhamit, me trajnerin portugez që e ka cilësuar si vendim teknik, duke qenë se titullar ka brazilianin Muniz dhe në stol veteranin Raul Jimenez.

Natyrisht një situatë aspak pozitive kjo për sulmuesin shqiptar, që la Chelsean për Fulhamin në fillim të muajit shkurt, me qëllim që të marrë më shumë minuta, por deri tani asgjë nuk ka shkuar sipas pritshmërive.

Armando Broja u aktivizua në të dy ndeshjet miqësore të Shqipërisë në muajin mars, teksa spikati më së shumti ndaj Suedisë, ku luajti titullar dhe për më shumë se 70 minuta mbajti në tension mbrojtjen vendase.

Sulmuesi konfirmoi se ka lënë tërësisht pas krahëve dëmtimin dhe tashmë ka nevojë vetëm për minuta, që të gjejë formën më të mirë, por duket se hapësirën në fushë nuk po ia japin te Fulhami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat