Shqipëria e mbyll në vendin e dytë

Futboll

Shqipëria e mbyll në vendin e dytë

Më: 9 prill 2024 Në ora: 18:40
Pamje nga ndeshja

Shqipëria e vajzave U-19 luajti sot ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Skocisë, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2024. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” pasditen e sotme, skuadra kuqezi u mposht me rezultatin 0-3 nga Skocia.

Trajneri i Shqipërisë U-19, Kreshnik Krepi hodhi në fushë këtë formacion: Amelia Mone (GK), Rexhina Maxhalaku, Rosela Vasa, Gelda Kadiolli, Vesa Paçarizi, Xhesika Ndoj, Arlinda Kodra (C), Era Methoxha, Alesia Cinaj, Stacey Qosja, Klaudia Borci.

Fraksioni i parë i ndeshjes ishte i barabartë në lojë. Të dyja skuadrat tentuan t’i afrohen portave respektive për të gjetur avantazhin por pa sukses. Në fundin e pjesë së parë, Shqipëria pati një mundësi të mirë me Klaudia Borcin, por sulmuesja nuk goditi si duhet nga brenda zonës dhe topi u ndal nga portierja kundërshtare. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0.

Skocezet e nisin më mirë pjesën e dytë të lojës, duke marrë avantazhin në minutën e 55-të me Mcclearyn, ndërsa shënojnë edhe dy gola të tjerë në minutat 63’ dhe 69’, që duket se goditi psikologjikisht vajzat kuqezi, që e patën të vështirë të reagojnë siç duhet.

Trajneri Krepi bën tre zëvendësime gjatë kësaj pjese, duke hedhur në fushë Klevisa Ndocin, Angela Nikën dhe Natali Gjergjin në vend të Alesja Çinaj, Era Methoxhës dhe Xhesika Ndojt.

Ndeshja mbyllet me rezultatin 3-0 në favor të Skocisë, që siguron kështu vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues.

Vlen të theksohet se pavarësisht se nuk ia dolën të ngjiten në Ligën A, vajzat kuqezi zhvilluan një edicion kualifikues shumë të mirë duke dominuar në dy sfidat e para ndaj Qipros dhe Lihtenshtejnit dhe duke siguruar 6 pikë në dy ndeshje.

Në ndeshjen tjetër të grupit B2, që u luajt në orën 15:30 në ‘Shtëpinë e Futbollit’, Qipro mundi Lihtenshtejnin me rezultatin 5-0.

Të gjitha ndeshjet e këtij raundi të dytë të Kampionatit Europian U-19 u zhvilluan në Shqipëri, nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndeshjet u luajtën në ‘Shtëpinë e Futbollit’ dhe në stadiumin ‘Elbasan Arena’".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat