Ndizen kundër Milanit

Futboll

Ndizen kundër Milanit

Më: 10 prill 2024 Në ora: 16:59
Dybala e Lukaku

Njëri ka shënuar vetëm 4 gola në këtë pjesë të parë të 2024-ës, tjetri është “agjërueshëm” prej një muajit me golin e fundit që daton 7 mars (kundër Brajtonit). Me pak fjalë, për Romelu Lukakun dhe Paulo Dibala sigurisht që nuk është momenti më i mirë dhe edhe të shtunën, në derbi, ata vuajtën jo pak.

Pra, a ka mundësi më të mirë për të buzëqeshur sërish se të enjten e ardhshme, në “San Siro”, për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Europës? Aty Lukaku dhe Dibala do të tentojnë të marrin Romën për dore, për ta çuar në ndeshjen e kthimit gati për të luajtur për gjithçka.

DREJT TË ENJTES — Ata dje nuk janë stërvitur, por kanë bërë vetëm ushtrime shlodhëse. Kjo sepse duhet të rikuperojmë forcën dhe energjinë, edhe nëse struktura fizike e qendërsulmuesit belg është padyshim shumë e ndryshme nga ajo e fantazistit argjentinas. Por Daniele De Rossi do të nisë sërish me të dy të enjten, për të tentuar ta drejtojë menjëherë sfidën në pistat e duhura. Verdhekuqtë kanë ende në mendje pasojat e finales së vitit të kaluar në Budapest.

Dibala ishte aty, shënoi golin e iluzionit dhe qau në fund të ndeshjes. Por jo Lukaku, ai ishte endej pjesë e Interit dhe po mendonte për finalen e Champions-it. Megjithatë, Liga e Europës është oborri i tij, duke qenë se Big Rom ka shënuar 27 gola në këtë kompeticion dhe është golashënuesi i tretë në histori, pas kolumbianit Falkao (30 gola) dhe Obamejang (33). Ndër të tjera, francezi i Marsejës është në garë edhe për titullin e golashënuesit të këtij edicioni (9 gola për Auban dhe 7 për Lukakun).

GATI PËR GJITHÇKA- Dibala dhe Lukaku, ndër të tjera, kanë edhe një rekord personal pozitiv ndaj kuqezinjve. Shtatë fitore dhe 3 humbje, me 5 gola, për belgun. 13 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje për argjentinasin me 8 gola të shënuar.

Ndonëse që kur kanë qenë te Roma nuk kanë arritur ta mposhtin kurrë: një barazim dhe 2 humbje për Paulon, i cili ka ndarë humbjet e këtij sezoni me belgun. Me pak fjalë, ka shumë arsye për një hakmarrje të mirë. Gjithashtu për shkak se Milani ka qenë gjithmonë një skuadër kundër së cilës Lukaku është ndezur shpesh. Për Dibalan “Djalli” ka qenë kundërshtari kryesor që kur ka zbarkuar në Itali (ajo e së enjtes do të jetë ndeshja e tij e 24-të personale kundër kuqezinjve).

Duke marrë parasysh se sa peshojnë të dy në ekonominë e lojës verdhekuqe, është një bast i sigurt që ata do të jenë të pranishëm si në ndeshjen e parë ashtu edhe në atë të dytë, dhe më pas ndoshta të pushojnë të dielën e ardhshme në Udine. Në “San Siro” dyshja e Romës do të kërkojë një mbrëmje lavdie, siç u ka ndodhur tashmë në të kaluarën me Juventusin dhe Interin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat