Alex Sandro, i prekur nga lamtumira bardhezi

Futboll

Alex Sandro, i prekur nga lamtumira bardhezi

Më: 13 prill 2024 Në ora: 14:27
Alex Sandro

Nga hapat e tij të parë në botën e Juventusit deri te lamtumira e mundshme në verë, duke kaluar nëpër trofetë e shumtë dhe marrëdhënien e jashtëzakonshme me Massimiliano Allegrin. Historia mes Alex Sandros dhe Juventusit mbetet sa magjepsëse, aq edhe e diskutueshme.

Nga mbrojtësi më i paguar në historinë e klubit deri te vërshëllimat e tifozëve ndaj tij për paraqitjet e fundit, të cilat nuk mund të përfaqësojnë epilogun e dëshiruar nga futbollisti brazilian, ai ishte protagonist i rrëfimit për kanalin e “Lega Serie A” në YouTube.

Gjatë intervistës, në prag të derbit të Mole, Alex Sandro ka rikthyer hapat e tij të parë në botën e Juventusit dhe objektivat e arritura: “Kur më erdhi propozimi i Juventusit u emocionova, sepse bëhej fjalë për një nga klubet më të rëndësishme në botë.

Nga 7 trofetë e fituar këtu, i pari është sigurisht më i rëndësishmi, sepse me të filloi gjithçka. Gjëja më e rëndësishme nuk janë trofetë për jetën, janë të gjithë njerëzit që kam njohur dhe me të cilët kam punuar”.

Një jetë së bashku me Massimiliano Allegrin, trajner me të cilin u rrit nga pikëpamja teknike dhe njerëzore: “Ai është një figurë shumë e rëndësishme në karrierën time, jo vetëm si futbollist, por edhe si person. Mësova shumë prej tij, brenda dhe jashtë fushës. Max është një person që dëshiron gjithmonë më të mirën, jo vetëm nga lojtarët, por nga njerëzit. Ai respekton vlerën e njeriut që je, para lojtarit”.

Aventurës së Alex Sandro me Juventusin tashmë duket se i ka ardhur fundi: “Unë dhe familja ime e dimë që do të vijë momenti i lamtumirës. Ruajmë shumë histori, shumë momente bardhezi, është e vështirë të imagjinohet jeta ime pa Juventusin. Sytë e mi do të shkëlqejnë gjithmonë për këto ngjyra, do t’i kem gjithmonë në zemër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat