Bashkëpunimi mes dy Federatave të Futbollit, Presidenti Ademi takon homologun Sejdini

Futboll

Bashkëpunimi mes dy Federatave të Futbollit, Presidenti Ademi takon homologun Sejdini

Më: 22 prill 2024 Në ora: 19:31
Agim Ademi dhe Muamed Sejdini

Federata e Futbollit të Kosovës dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për të avancuar bashkëpunimin e tyre. Kjo u konfirmua së fundmi në një takim miqësor midis presidentit të FFK-së, Agim Ademi dhe presidentit të FFM-së, Muamed Sejdini.

Në këtë takim, presidenti Ademi e përgëzoi mikun e tij për arritjet e deritashme dhe Asamblenë e suksesshme të FFM-së në fundjavën që e lamë pas, e ku u konfirmua avancimi i futbollit në Maqedoninë e Veriut nën drejtimin e tij.

Dy presidentët diskutuan gjithashtu për potencialet e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy federatave, veçanërisht në zhvillimin e grupmoshave të reja dhe në promovimin e futbollit për vajzat.

Një prej ideve të diskutuara ishte organizimi i një kompeticioni të përbashkët për ekipet U13 dhe U14, duke përfshirë 3-4 ekipe nga secili kampionat.

Sipas dy presidentëve, kjo garë do të ishte nxitje e konkurrencës së shëndetshme mes ekipeve të të rinjve dhe do të kontribuonte në rritjen e nivelit të futbollit dhe në zhvillimin e talenteve në të dyja vendet.

Temë tjetër që u trajtua në këtë takim ishte edhe çështja e sistemit VAR, të cilin tash e dy vjet FFK është duke e zbatuar me sukses në kampionatin vendor.

Presidenti Ademi shprehu gatishmërinë e FFK-së për të ndihmuar FFM-në në këtë proces me ekipet e tij të VAR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat