Gjimshiti: Kemi pasur edhe disa probleme

Futboll

Gjimshiti: Kemi pasur edhe disa probleme

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 30 maj 2017 Në ora: 16:48

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i shoqëruar me bashkëvendasin e tij, Arbnor Fejzullahi, futbollist i Partizanit, ka ndjekur derbin shqiptar në Tetovë, mes Renovës dhe Shkëndijës (4:4). Gjimshiti, i cili gjatë këtij sezoni luajti për Avellinon, është shprehur i kënaqur që me këtë skuadër siguroi mbijetesën në Seria B të Italisë: “Jemi shumë të kënaqur, sepse në fund ia kemi arrit qëllimit, të mos biem nga liga, sepse kemi pasur edhe disa probleme. Na i kanë hequr tri pikë për një problem që ka pasur skuadra para tri vitesh. Mendoj se në fund gjithçka doli mirë”. Shqipëria luan më 11 qershor si mysafire e Izraelit, ndeshje eliminatore për “Rusia 2018”. Gjimshiti është optimist se nga ky udhëtim do të kthehen me tri pikë:

“Personalisht pres një ndeshje të mirë. Është një mundësi që t’i kthehemi rrugës së sukseseve, pasi në ndeshjet e fundit nuk kemi pasur rezultate të mira. Me Izraelin humbëm në Shqipëri dhe aty mora karton të kuq. Tani shkojmë atje dhe duam të kthehemi me fitore, pasi mendoj se Izraeli nuk është më i fortë se ne”. Në fund, mbrojtësi kuqezi foli edhe për të ardhmen e tij: “Nuk dihet ende. Kam kontratë me Atalantën. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Atalanta tani e përfundoi kampionatin dhe të shohim se si do të rrjedhin bisedimet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat