Defoe i emocionuar, i jep lamtumirën vogëlushit

Futboll

Defoe i emocionuar, i jep lamtumirën vogëlushit

Më: 9 korrik 2017 Në ora: 12:56
Jermain Defoe me vogëlushin

Jermain Defoe ndihet i bekuar. Ky është thelbi i letrës së hapur të sulmuesit anglez i cili i shkruan për herë të fundit shkut të tij të më mirë, vogëlushit Bradley Lowery, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. 6-vjeçari që u bë simbol i betejës ndaj kancerit, ishte një tifoz i zjarrtë i Sunderland dhe prej shumë kohësh kishte lidhur një miqësi të ngushtë edhe me ish sulmuesin e kësaj skuadre. Ai e shoqëroi Defoe në shumë ndeshje të Premier League por edhe në takimin eliminator të Anglisë kundër Lituanisë. Miqësia mes të dyve u bë me e ngushtë me kalimin e kohës, madje Defoe kalonte shumë kohë në spital me vogëlushin duke i qëndruar pranë në momentet e tij më të vështira. Gjeste që e bënë sulmuesin një hero për të gjithë botën por tashmë, ai duhet të mësohet të jetojë pa mikun e tij të të mirë. Komunikatën e tij, lojtari britanik e shoqëron edhe me një video kujtimesh nga stadiumi, shtëpia dhe spitali.

“Ndihem i bekuar nga Zoti që të solli në jetën time. Kam kaluar momente të paharrueshme me ty dhe të jam shumë mirënjohës. Nuk do ta harroj asnjëherë mënyrën se si më pe për herë të parë, me një dashuri të pafajshme në sytë e tu. Është shumë e vështirë të gjej fjalët për të përshruar se çfarë ti je për mua. Mënyra se si thoje emrin tim, buzëqeshjet e tua kur kamera na drejtohej dhe dashuria që ndjeja kur isha me ty do të mbeten gjatë në kujtesën time. Kuraja dhe guximi që kishe për ta luftuar atë sëmundje do të më frymëzojnë gjatë gjithë jetës time.  Nuk e ke aspak idenë se sa shumë më ke ndryshuar. Shpresoj që Zoti të të ketë marrë në krahët e tij, ndërsa unë do të të mbaj përherë në zemër. Fli vogëlush, miku im më i mirë”, shkruan 34-vjeçari në letrën drejtuar 6-vjeçarit që tashmë ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat