Argjentinë-Peru, një “finale” e mbushur me histori dhe dramë…

Futboll

Argjentinë-Peru, një “finale” e mbushur me histori dhe dramë…

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 19:24
Pamje nga një atmosferë

Ndoshta është e shkruar diku atje lart se Argjentina do të ndeshet me Perunë në një eliminatore jetike për pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2018. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën. Në vitin 1969 dhe 1985 këto përfaqësuese kanë luajtur përballje të drejtpërdrejta për të shkuar në botëror, ndërsa në vitin 2009, Argjentina pati nevojë për një fitore ndaj Perusë që të siguronte “biletën” për në Afrikën e Jugut. Por aspekti historik është vetëm një nga faktorët e shumtë që i japin një interes të jashtëzakonshëm ndeshjes që do të zhvillohet të enjten në mbrëmje në “La Bombonera”, shtëpia e zhurmshme e Boca Juniors.

Eliminatoret nuk kanë shkuar sipas planeve për Argjentinën që e gjen veten në vendin e pesë kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur në zonën e Amerikës Latine, e famshme për konkurrencën e fortë mes 10 përfaqësueseve pjesëmarrëse. Vendi i pestë është i vlefshëm me një “play off” kundër Zelandës së Re në nëntor, ndërsa katër ekipet e para shkojnë direkt në Rusi. Argjentina është në kuotën e 24 pikëve, aq sa Peru, por qëndron prapa në klasifikim sepse ka shënuar më pak.

 Por Argjentina duhet të ketë kujdes edhe prapa shpine, sepse Kili i vendit të gjashtë, kampion i Amerikës Latine në dy edicionet e fundit, është vetëm një pikë larg. Kjo situatë premton një garë emocionuese, teksa Brazili është i vetmi i kualifikuar matematikisht, ndërsa nga Uruguaji i vendit të dytë deri te Ekuador i vendit të tetë janë ende në garë. Pas ndeshjes kundër Perusë, Argjentina do të udhëtojë për në Ekuador, ditën e enjte. Ndërkohë, në raundin e fundit, Peru do të presë Kolumbinë, raporton telesport.

Argjentina pret Perunë, të enjten, në një ndeshje ku duhet të fitojë patjetër. Aktualisht skuadra e Sampaoli mban vendin që do ta çonte “play off” kundër Zelandës. Peruja ka numër të barabartë pikësh, por ka golaverazh më të mirë, kur mbeten 180 minuta nga fundi i eliminatoreve

Në gusht në vitit 1969, Peru arriti të marrë barazimin 2:2, pikëshit në “Bombonera” dhe fitoi të drejtën për të luajtur në Kupën e Botës 1970, pikërisht duke eliminuar Argjentinën. Ajo ka qenë skuadra më e mirë e të gjitha kohërave për Perunë dhe shkoi deri në gjysmëfinalen e “Meksikë 1970”, veprimtaria e vetme madhore ku Argjentina nuk ka marrë pjesë dhe “çelestët” do të bëjnë të pamundurën që kjo situatë të mos përsëritet.

Argjentina e mori revanshin në korrik 1985, kur me një tjetër barazim 2:2, këtë herë në “Estadio Monumental” të River Plate, skuadra e Maradona shkoi në Kupën e Botës 1986, ndërsa Peruja kaloi në “play off”, ku u eliminua nga Kili. Golin e barazimit 2:2 e shënoi Ricardo Gareca, në minutën e 81-të. Për koincidencë argjentinasi Gareca është aktualisht trajneri i Perusë dhe mund t’i shkaktojë një dëshpërim të madh kombit të tij. Në “Meksikë 1986”, Argjentina fitoi titullin e dytë botëror, por gjithçka do të kishte qenë ndryshe pa atë gol, 10 minuta para fundit, kundër Perusë.

Maradona festoi si i çmendur atë ditë dhe fati donte që në vitin 2009, ai të festonte sërish një fitore jetike ndaj Perusë, këtë herë si trajner i Argjentinës. Argjentina fitoi 2:1 ndaj Perusë, me golin e shënuar nga Martin Palermo në minutën e 92-të dhe në këtë mënyrë “çelsetët” shkuan në Kupën e Botës 2010. Veç golit në sekondat e fundit të ndeshjes në “Monumental” do të mbahet mend përgjithmonë festa e Maradona. Në momentin që topi shkoi në rrjetë, Diego u hodh në fushën e lagur nga shiu.

Në vitin 1969, Peruja eliminoi Argjentinën, e cila u hakmor në 1985-n… por pa fitoren ndaj Perusë, me gol në minutën e fundit, Argjentina e Maradonës nuk do të shkonte në Kupën e Botës 2010. Peruanë kanë marrë ujin me vete, të “trembur” nga ajo që “çelestët” bënë ndaj Brazilit në vitin 1990

Pra, kjo përballje ka dramë në brendësi dhe të enjten në mbrëmje nuk do të jetë ndryshe. Zgjedhja e stadiumit është domethënëse. Argjentina i luan zakonisht ndeshje në stadiumin “Monumental”, me kapacitet 61.688 vende. Gjithsesi, Federata Argjentinase e Futbollit habiti me vendimin që ndeshja ndaj Peru të luhej në stadiumin e Boca “Bombonera”, që nuk ka më shumë se 49 mijë vende. Padyshim që ky është stadiumi më i preferuar për futbollistët dhe për tifozët, që ndonjëherë e bëjnë atmosferën të jetë klaustrofobike për kundërshtarët.

 Një tjetër histori e veçantë nga kjo përballje vjen nga vendimi i peruanëve për të marrë me veten ujin dhe lëngjet e tjera në Buenos Aires. Në Kupën e Botës 1990, Brazili deklaroi se mjekët e Argjentinës i kishin helmuar ujin gjatë ndeshjes, duke ndikuar në humbjen 1:0. Mbrojtësi i majtë Branco u largua nga fusha me dhimbje barku, ndërsa pak vite më vonë Maradona e konfirmoi se kishte shishe uji nga ku futbollistët nuk duhet të pinin, kur mjekët futeshin në fushë.

 Peru nuk është kualifikuar për në Kupën e Botës që nga viti 1982, por vendi i tyre i 12-të në klasifikimin e FIFA tregon se ecuria e tyre nuk është një rastësi. Pasi humbën në katër nga gjashtë eliminatoret e para, të besuarit e Gareca kanë pasur një ecuri të jashtëzakonshme ku përfshihen edhe tre fitore radhazi me rezultatin 2:1.

Pika e kthesës erdhi në eliminatoren e shtatë dhe ishte thuajse rastësi. Ata humbën 2-0 në Bolivi, por vendasit kishin aktivizuar një futbollist që nuk duhet të luante dhe më pas Peru e fitoi ndeshjen në tavolinë. Por kurioz është fakti se nëse Peru fitoi eliminatoret e fundit do të shkojë në vendin e gjashtë ose shtatë të FIFA-s dhe ka gjasa që të jetë kokë grupi në shortin e 1 dhjetorit për Kupën e Botës.

 Peruja ka shumë pak futbollistë që janë njohur në Europë. Një prej tyre është mesfushori i Watford, Andre Carrillo, megjithatë ai është i skualifikuar për ndeshjen e së enjte. Jefferson Farfan, që aktualisht luan me Lokomotiv Moskë, është gjithashtu i njohur, por “yjet” e fushatës kanë qenë organizatori Christian Cueva, i cili luan për brazilianët e Sao Paulo dhe sulmues Edison Flores e Paolo Guerrero. Kapiteni Guerrero, aktualisht te Flamengo, ka shënuar 32 gola për kombin e tij. Pjesa tjetër e ekipit është e përbërë nga futbollistë që luajnë në kampionatin peruan dhe Kupa e Botës do të ishte një vitrinë e rëndësishme.

 Argjentina, që aktualisht drejtohet nga ish-trajneri i Kilit dhe Sevilla, Jorge Sampaoli, ka pasur probleme edhe pse ka në përbërje disa nga sulmuesit më të mirë në qarkullim. Megjithatë, Sampaoli ka pasur të njëjtat probleme si paraardhësi i tij Edgardo Bauza, i cili zgjati vetëm tetë muaj në stol.

 Sergio Aguero nuk është i disponueshëm, pas aksidentit rrugor në Amsterdam, megjithatë “çelestët” kanë emra të tillë si Lionel Messi, Paulo Dybala, Mauro Icardi dhe Angel Di Maria. Megjithatë, ashtu si na tregon historia, gjithçka mund të ndodhë kur këto dy përfaqësuese vihen përballë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat