Manchester Utd kokulur lëshoi fushën në përballje me Brighton-in. Vendasit dhanë maksimumin dhe e mundën me rezultat 3:2 Manchester Utd, në ndeshjen e javës së dytë të Premier League në futboll.
Në 45 minutat e parë skuadra e Brightonit bëri paraqitje fenomenale, duke udhëhequr me rezultat 3:1. Mbrojtja e Manchester Utd nuk reagoi si duhet pothuajse në asnjë moment dhe kjo iu kushtoi që të pësojnë.
Në minutën e 25-të, Glenn Murray la të fjetur mbrojtjen mysafire dhe 1:0 për Brightonin. Pas dy minutave (27’) Shane Duffy thelloi epërsinë në 2:0, por ‘Djajtë e Kuq’ reaguan shpejt dhe ngushtuan rezultatin në 2:1 me golin e Romelu Lukakut, që nga afërsia shënoi me kokë pikërisht në minutën e 34-të.
Në fund të pjesës së parë përkatësisht në minutën e 44-të, Pascal Gross, nga penalltia shtoi epërsinë në 3:1, duke shokuar skuadrën e trajnerit Jose Mourinho. Në fund të takimit, në minutën e 90+5, Manchester Utd ngushtoi humbjen në 3:2 me golin e Pogbas nga penalltia.