Kupa e Shqipërisë, një torturë e panevojshme dhe qesharake

Futboll

Kupa e Shqipërisë, një torturë e panevojshme dhe qesharake

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 11:10
Pamje nga një ndeshje

Futbolli shqiptar nuk është se qëndron në majat e futbollit europian dhe për shifrat që shpenzojmë, realisht “korrim” ende shumë pak, aq sa përveç Skënderbeut këto vitet e fundit, çdo skuadër që kalon një tur na bën të mendojmë për mrekulli dhe arritje fantastiko-shkencore.

Kategoria Superiore ka rivalitet, të paktën deri nga fundi i dimrit, kur fillon shpërbërja dhe merret vesh që ndonjë ekip është dorëzuar në garën për mbijetesë, apo ndonjë klub ka aq shumë borxhe sa nuk regjistrohet dot për në kupat e Europës as me mik e me falsifikime bilancesh. Poshtë Superiores gjithçka bëhet komike, me disa ekipe që luajnë për qejf, disa që nuk paguhen fare e disa që ecin e laps e letër, duke nisur trukimet që në shtator.

Pastaj vjen kupa, kompeticion me shumë rëndësi në teori, sepse trofeu vlen miliona dhe siguron një vend në Europa League. Teoria është në rregull, por praktika është sërish qesharake. Federata Shqiptare e Futbollit, me një largpamësia të admirueshme, ka bërë gjithçka për ta zhvlerësuar këtë kompeticion për të bërë që realisht vetëm 4-5 ekipe të luajnë seriozisht në pranverë, shkruan telesport.

Gafa, për të cilën askush nuk e vret mendjen, nis që tek shorti i paracaktuar, me ekipet më të forta që përballen me ato më të dobëtat. Me sistem vajtje-ardhje, a thua se Veleçiku do i bëjë gjëmën Skënderbeut në Korçë!  Ku qëndron logjika e një sfide të tillë, kur nga Kopliku deri në Korçë vetëm karburanti vlen sa gjysma e buxhetit mujor të Veleçikut?

Çfarë kuptimi ka që Naftëtari i rrënuar të përballet me Laçin apo Tërbuni me Partizanin, që në turin e parë, ndërsa në vazhdim e dinë shumë mirë që sërish do të ndeshen me ekipet më të forta të Superiores, edhe sikur të bjerë rrufeja dhe të kualifikohen në turin e parë? Ku qëndron logjika e përballjeve mes Ilirisë e Tiranës, apo e Vorës me Luftëtarin?

Kupat në gjithë botën kanë humbur vlerë dhe federatat mundohen çdo vit të shpikin ndonjë formulë të re për t’i bërë sa më interesante, për të pasur sa më shumë surpriza dhe për pasojë sa më shumë interes. Në Shqipëri ndodh e kundërta, ekipeve të vogla u thuhet që në fillim që shorti është i pilotuar dhe “të vrasin veten”, nuk kanë shans të kalojnë ndonjë tur. Aq qesharake bëhet situata, saqë disa skuadra nuk paraqiten fare, apo dërgojnë të rinjtë dhe zëvendëstrajnerin, ndërsa ndeshjet luhen nëpër fusha stërvitore, shihni Tiranën te Skënder Halili, Kukësin në Pezë-Helmës e kështu me radhë!

A nuk do ishte më logjik një short krejt i lirë, nuk ka rëndësi nëse goglat vendosin Tiranën e Skënderbeun përballë që në turin e parë? A nuk do ishte logjike që të paktën dy turet e para të luhen vetëm me një takim, në fushën e ekipit më të dobët? Imagjinoni sa ndryshim do kishte një Iliria-Tirana me një takim në Fushë-Krujë, të paktën do luhej futboll i vërtetë, do luanin titullarët, do tentohej befasia e madhe dhe njerëzit do shkonin në stadium me qejf, sepse në 90 minuta gjithçka mund të ndodhë, e kemi parë shpesh, anembanë Europës.

Të paktën kaq gjë FSHF mund ta bëjë, duhen studiuar alternativa për të rritur interesin e klubeve për kupën, sepse nëse një ekip i Kategorisë së Parë luan falë shortit gjithnjë në shtëpi, apo me pak fat mund të shmangë rrugës “peshkaqenët” e Superiores, qartësisht motivimi dhe entuziazmi do të shtoheshin dhe nuk do të shihnim çdo sezon një finale mediokre me të njëjtat ekipe dhe me 231 persona në stadium. Edhe finalja në fund të majit është një absurd më vete, duke e ditur që shpesh klubet tona e përdorin kupën për pazare.

Dy fjalë edhe për klubet: Që të quhesh klub profesionist nuk mjafton të bërtasësh që shpenzon miliona çdo sezon. Klubet duhet të bashkohen, të bëjnë kërkesa për ndryshim, duke nisur nga skema qesharake e kupës e deri tek detaje të tjera, si shlyerja e gjysmës së dënimeve kundrejt pagesës, një skandal më vete që nuk ekziston askund në futbollin modern dhe që krijon ndjesinë se klubet e pasura sërish bëjnë ç’të duan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat