Mema: Ze Maria është keqkuptuar, Ngo më ka ofenduar rëndë

Futboll

Mema: Ze Maria është keqkuptuar, Ngo më ka ofenduar rëndë

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 14:36
Ardian Mema

Pas humbjes me Flamurtarin dhe barazimit me Kamzën, në javën 11-të e superligës Tirana e Ardian Memës do të përballet me Teutën.

Në konferencën për shtyp, përpara këtij takimi, trajneri i bardhebluve, është ndalur të flasë për pritshmëritë e tij nga kjo përballje, ku ka vënë theksin se synon fitoren, edhe pse i duket paksa e vështirë për shkak të ndryshimit të fushës. Ekipi i tij ishte përgatitur për të zhvilluar ndeshjen në “Elbasan Arena”, por Federata njoftoi se takimi i së premtes do të luhet në Shijak, ndryshim i cili duket se ia vështirëson paksa punën teknikut.

Gjithashtu, Mema ka pasur edhe një përgjigje për paraardhësin e tij, Ze Maria, sipas së cilit ky i fundit  kishte keqkuptuar deklaratën e tij. Ai sqaroi se kur tha se e kishte gjetur skuadrën me probleme, iu ishte referuar këtu problemeve psikologjike, dhe jo fizike, siç braziliani e kishte lexuar. Madje ai shkoi më tej, duke i kërkuar falje, edhe pse ishte i bindur se ka pasur një keqkuptim.

Në fund ka zbuluar edhe motivin përse ka zgjedhur që të ndëshkojë Ngo, duke deklaruar përpara gazetarëve, se lojtari e kishte fyer rëndë.

Përgjigja për Ze Marian: Nuk besoj se e kam thënë, por do t’i kërkoj ndjesë publike nëse e kam thënë gjithmonë. Unë nuk ka sfidë as me Ze Marian dhe as me asnjë tjetër, unë i respektojë për atë që kanë dhënë për Tiranën, ku jam rritur që fëmijë. Më duket një lajm artificial. Çdo njeri do të bëjë punën e tij sa më mirë. Nëse unë do merrem me Ze Marian apo dikë tjetër, është një gabim i imi. Më erdhi keq, ka rënë në një grackë. Nuk kam folur publikisht për formën fizike apo drejtpërdrejtë për Ze Marian.

Gjendja e ekipit: Kam folur që në fillim për aspektin psikologjik. Në atë pozicion që ishte Tirana, normalisht do ketë probleme psikologjike. Synimi im është që të punoja me lojtarët me aspektin psikologjik. Në futboll, nëse nuk punon truri, futbollisti do ketë problem, sado i fizikshëm të jetë. Nga ana fizike nuk ka qenë keq, sepse ekipi më është shprehur. Pati një rënie të lehtë me Flamurtarin, por me Kamzën pati një ngritje.

Përballja me Teutën: Kemi përgatitur ndeshjen e radhës në Elbasan, por u kthye çdo gjë mbrapsht, do luajmë në Shijak. Kjo na prish pak punë, sepse ishim përgatitur në kushte të tjera, por prapë fusha është e barabartë për të dyja ekipet, do njihemi mirë me terrenin, kemi lënë dhe opsione të tjera në këtë ndeshje. Teuta është e fortë, shumë solid, ka lojtarë të mirë, mendojë se do të jetë një përballje e fortë. Por terreni më ndikon pak tek kjo pjesë.

I kënaqur me barazim? Tirana nuk ka kohë për të humbur, Tirana duhet të fitojë çdo ndeshje. Kam punuar që ditën e parë me mentalitetin e fituesit. Kemi pasur raste me Flamurtarin,me Kamzën, por nuk kemi shënuar. Kjo është lojë me gabime, kush bën më pak fiton. Mbetet për t’u parë barazimi, por menatiliteti im është që futem në fushë për fitore.

Filozofia e Memës: Jam i kënaqur, ekipi më është përgjigjur në fushë. Secili lojtarë ka bërë maksimumin, nivelet janë të ndryshme normalisht. Unë mendoj se cili nga lojtarët do jetë pjesë e ndeshjes, nuk u dhuroj njeri formacionin, por duhet ta meritojnë. Nuk shoh gabimet, por shoh kush është i gatshëm për të luajtur. Mendoj që lojtarët, flas për kohën që jam te Tirana, mendoj që kanë vlera dhe këto vlera do vijnë duke u rritur. Kjo është puna ime e stafit, për t’u rritur individualisht dhe si grup. Ne duhet të luajmë si grup, në këto momente grupi duhet mbajtur afër dhe të menaxhohet mirë.

Gjuha jo e duhur me lojtarët: Në një javë askush nuk u mor me mënyrën se si ekipi luajti, por u morën me këto dy lojtarët dhe në këto kushte kam thënë që jam trajner i Tiranës dhe jo i fëmijëve. Sa i përket gabimeve, lojtarët nuk dënohen nga gabimet në fushë. Dalin jashtë 18-shes kush nuk stërvitet mirë, apo nuk është i gatshëm të luajë. Secili duhet të përmirësohet dhe të rritet si lojtarë. Nuk jam këtu për të ndëshkuar lojtarë, sepse kam qenë vetë futbollist dhe e di se si është.

Situata e të lënduarve: Doka ka marrë kujdesin e duhur dhe vazhdoi stërvitjen. Blazhevski këtë javë nuk mund të aktivizohet.

Mungesa e golit: Goli është instinkt. E rëndësishme për mua është që ekipi është shprehur dhe kanë shkuarnë sulm 5 lojtarë. Manovrat që kemi bërë kanë shkuar mirë, kemi pasur 7 raste për gol, ky ekip ka mundësi fitoreje.

Çështja e Ngo: S’jam këtu për të dënuar lojtarë, jam për të menaxhuar grupin dhe këtu do shumë kujdes. Ka qenë një moment që e kam pezulluar, i thashë dil jashtë për veprimin që bëri, por nuk e përzura. Kur më erdhi afër, më tha diçka anglisht që nuk ma zë goja ta them, më cenoi personalitetin tim. Do veproja në të njëjtën mënyrë nëse do kishte fyer dikë tjetër, apo kushdo që do e kishte bërë. Grupi duhet të mësohet të punojë me disiplinë, duhet të krijojmë një lloj fizionomie si klub, nëse nuk kemi grup, apo nuk menaxhohet mirë, do kemi probleme gjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat