Ultimatumi i Juventusit

Futboll

Ultimatumi i Juventusit

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 13:07
Allegri në mes

Pati një shpërthim për mediat nga Medhi Benatia, në fund të ndeshjes Juventus-Cagliari. Shkaku ishte aktivizimi fare i paktë në këtë sezon, pas rikthimit të Bonuccit. Shfryrja e tij u ndjek nga mendimi i publikuar në Facebook nga babai i Daniele Ruganit. Në “Continassa”, në aspektin e rezultateve, gjithçka punon në mënyrë të përkryer.

Megjithatë, në aspektin e ekuilibrit brenda skuadrës mund të dalin pengesa rrugës. Dhe kjo, pa dyshim, është një “dhimbje koke” për Max Allegrin, që i duhet të menaxhojë një grup plot cilësi, por edhe me… xhelozi profesionale brenda. Gjithkush dëshiron të tregojë veten, të gjithë dëshirojnë të japin kontributin e tyre te “Zonja e Vjetër”. Me pak fjalë, probleme të qarta dhe të pastra me bollëk. Muzikë për veshët e secilit trajner.

Kjo është arsyeja, pse mund të ngrihen pandehma në emër të vazhdimësisë te kampionët e Italisë. Juventusi është i thirrur “nën armë” për të folur me zë të madh në Itali dhe jashtë vendit. Dhe për të përqendruar këtë mision ambicioz, në mënyrë të pashmangshme kërkohet një staf drejtues, edhe teknik, me mjeshtëri të shkëlqyeshme. Juve, në fakt, në çdo rol ka së paku dy futbollistë me nivel të lartë. Në detaje spikat superfuqia sulmuese e bardhezinjve, pas ardhjes së Ronaldos, por edhe mbrojtja ka rëndësinë dhe “peshën” e saj të madhe.

Ndoshta, në letër dhe jo vetëm, ka dy qendërmbrojtësit më të mirë në Europë. Dhe nëse “pronarët” quhen Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini, të tjerët duhet të jenë të kënaqur me rotacionin. Ky i fundit mund të aplikohet jo pak, duke marrë parasysh dendurinë e ndeshjeve dhe angazhimeve sezonale, por kaq nuk mjafton për ndonjërin. Diçka e natyrshme, sepse lojtarët e këtij niveli aspirojnë për minutazhin më të bollshëm të mundshëm.

Benatia ka 6 paraqitje në këtë sezon. Rugani, nga ana tjetër, 3 ndeshje; nga të cilat një në minutat përmbyllëse në Valencia. Me fjalë të tjera, lumturia është një tjetër gjë. Këtu, pra, ndërthyret rruga e merkatos. Në të vërtetë, për të dy këto lojtarë mund të lindë një rrugë e re e karrierës. Por jo, menjëherë. Jo në janar. Juventusi nuk do të lejojë kurrsesi që këto dy elementë të mbrojtjes të largohen. Gjasat janë që klubi të ulet rreth një tavoline me Benatia dhe Rugani, duke ua bërë të ditur këtë qëndrim. Në qershor, megjithatë, fjalimi (i dyfishtë) mund të ndryshojë.

Milani është në kërkim të Benatia, ndërsa Roma kërkon Rugani. Këto janë “gjurmët”, që mund të ndiqen në ditët e fundit, por për momentin nuk rezultojnë në konkretizim. Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, nuk dëshiron të prekë një repart sa delikat, aq edhe themelor për objektivat madhorë të sezonit. Një mendim i përbashkët, i ndarë edhe me trajnerin Allegri, i cili beson fuqishëm në asetet që ka në dispozicion.

Kjo është përgjigjia e prerë e Juventusit për të dy lojtarët në fjalë, në një afat të shkurtër. Më tej duhet zgjidhje tjetër për dy çështje potencialisht të ngatërruara. Për të dy, për më tepër, më herët u fol për rinovim, por gjithçka është bllokuar. Sidoqoftë, muajt në vazhdim do të sjellin zhvillime...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat