Akuza

Futboll

Akuza

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 15:57
Ashley Cole

Ashley Cole beson se Raheem Sterling vihet në shënjestër të kritikave gjatë kohës që luan me Anglinë për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij. Në një intervistë të dhënë në dokumentarin e ri të “ITV”, “Out Of Their Skin” (Jashtë lëkurës së tyre), që analizon 40 vitet e fundit të lojtarëve me ngjyrë në kombëtaren e “Tre Luanëve”, Cole ka zbuluar se vërshëllimat e marra nga tifozët gjatë një ndeshje të luajtur me Anglinë në 2008-ën e bënë të mendonte tërheqjen, sepse vendi i tij “nuk donte t’ia dinte për të”. Gjithsesi, ai ka thënë se “është ndryshe” ajo që po ndodh Sterling, duke sugjeruar se ai është vënë në shënjestër vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Duke kujtuar një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës, kundër Kazakistanit në 2008-ën, gjatë së cilës ai është vërshëllyer vazhdimisht nga tifozët pavarësisht fitores 5-1 të Anglisë, Cole ka zbuluar se ai moment e ka shtyrë të mendojë për tërheqjen nga përfaqësuesja. “Mendova, ‘Për mua janë këto? Sepse largova topin?”, – ka thënë Cole. – “Në ato moment i thashë vetes, ‘Nuk vazhdoj më. Pse duhet të jap maksimumin për një vend që nuk do t’ia dijë?’ Për mua nuk ishte futboll. Për këtë arsye doja të ndalesha”.

Mbrojtësi 37-vjeçar, i cili luan për Los Angeles Galaxy, u bë armiku numër një i shumë tifozëve pas transferimit të tij te Chelsea nga Arsenal në 2006-ën. Gjithashtu, ai ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të martesës me yllin e muzikës pop, Cheryl. Një martesë që përfundoi në 2010-ën.

“Kur u largova nga Arsenal filluan të më quanin ‘Cashley’ (bashkim i fjalës cash, që do të thotë pará, dhe emrit të tij ashley). Ishte normale që unë të isha shënjestra e preferuar, edhe për shkak të gjërave që ndodhën në jetën private”. Gjithesi, Cole beson se Sterling po sulmohet për një arsye tjetër. “Nuk shikoj që të ndodhë me asnjë tjetër, përveçse me Raheem. Mendoj se ka diçka tjetër mbrapa kësaj sjelljeje. Nuk ka mbetur asgjë përveç ngjyrës së tij të lëkurës”.

Edhe pse tifozët e shtynë drejt tërheqjes nga kombëtarja, ai nuk e bërë një gjë të tillë dhe ka luajtur plot 107 ndeshje me “Tre Luanët”, duke u tërhequr nga përfaqësuesja në 2014-ën si lojtari i parë me ngjyrë me 100 ndeshje të luajtura me Anglinë. Cole ka shprehur edhe krenarinë që ka ndier kur ka luajtur për kombëtaren, duke thënë se ka qenë një nder i madh për të dhe se i mungon çdo ditë.

“Nuk kam luajtur vetëm për Anglinë”, ka thënë ai. “E kam bërë për të gjithë lojtarët me ngjyrë, për t’i treguar se mund ta bëjnë. Kam luajtur 100 ndeshje me Anglinë, me vendin tim. Mendoj se është e jashtëzakonshme që jam lojtari i parë me ngjyrë që e kam bërë këtë. Kam përfaqësuar vendin tim dhe kam luajtur në kompeticione të mëdha. Kam dhënë gjithmonë maksimumin dhe nuk jam tërhequr kurrë mbrapa. Më mungon çdo ditë”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat