Eminhaziri paralajmëron largimin nga klubi kuqezi

Futboll

Eminhaziri paralajmëron largimin nga klubi kuqezi

Nga: Kemajl Goca Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 17:36
Eminhaziri paralajmëron largimin nga klubi kuqezi

Vjeshta ka qenë e bereqetshme për disa skuadra e për disa shumë e varfër në elitën e futbollit të Kosovës! Drenica nga Skenderaj ka arritur një bilanc mjaft të mirë, duke u renditur në vend të pestë me 24 pikë ose me 7 fitore, 3 barazime e 7 humbje, me goldallim pozitiv 22:16.

Sulmuesi Isa Eminhaziri ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se rezultatet janë të mira deri diku: “Mendoj se rezultatet janë deri diku te mira edhe me pak kujdes kemi mundur me pas edhe ndonjë pikë më shumë”.  Eminhaziri mendon se klubin kuqezi e veçon për disa gjëra nga klubet tjera: “Mendoj që në Drenicë është diçka ndryshe nga ekipet tjera sepse ka shumicë lojtarësh vendorë, e cila nuk vërehet shumë nëpër klube tjera”.

Sulmuesi bëri me dije se edhe mund të largohet nga Drenica.  “Me kushte jam i kënaqur në përgjithësi, por besoj se do ta ndërpres bashkëpunimin me Drenicën. Në fund të javës do të bisedoj edhe njëherë me trajnerin Tahir Lushtakun”, tregon futbollisti. Cilat janë arsyet që mendoni ta ndërprisni bashkëpunimin me ekip, keni oferta? “Kam pas pak minutazh këtë sezon edhe mendoj të shkoj në një ekip që mund të luaj më shumë. Kam disa oferta, por ka ende kohë dhe do të mendoj”, përgjigjet Eminhaziri.

A mendoni se kampionati është interesant dhe cilat skuadra janë të rrezikuar e cilat për titull? “Sivjet është kampionat pak më i dobët se 2-3 vjetët e fundit. Ekipet gati janë ndarë kush për titull e kush për barazh. Mendoj se për titull deri në fund do të luftojnë Prishtina dhe Feronikeli. Sa për pjesën e poshtme të tabelës, mendoj që përjashto Llapin, të gjithë janë në rrezik”, ka thënë Eminhaziri. Për cilësi mendon se është e njëjtë: “Për cilësi mendoj që lojtarët janë të njëjtë gati sikurse në vitet e fundit. Mendoj se krejt varet si organizohen klubet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat