Rudi: Nuk jemi në pozitën ku kemi synuar!

Futboll

Rudi: Nuk jemi në pozitën ku kemi synuar!

Nga: Kemajl Goca Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 11:02
Rudi: Nuk jemi në pozitën ku kemi synuar!

Skuadra me renome Vëllaznimi nga Gjakova nuk shkoi rrugës së rezultateve të pritura në pjesën vjeshtore në Ligën e Parë të Kosovës. Gjakovarët përfunduan në vend të pestë me 29 pikë pas 16 jave të zhvilluara në vjeshtë, por mbeten me bindje të fortë se në stinorin pranveror do të tregojnë një fytyrë tjetër dhe do të luftojnë për dy vendet e para, që shpie direkt në Superligën e Kosovës. Vëllaznimi ngec për 9 pikë larg kampionit vjeshtor Vushtrrisë dhe ka 6 me pak se Besa në vendin e dytë.

Nëse shikojmë repartin e mbrojtjes pa dyshim se kanë pasur mbrojtjen më të fortë në ligë, të cilët për 16 ndeshje pësuan tetë gola.  Është skuadra që më së paku ka pësuar gola, ndërsa ka shënuar tetë fitore, pesë barazime e tri humbje. Mesfushori i Vëllaznimit, Lorik Rudi, e pranon se nuk janë në pozitën të cilën e kanë synuar në fillim të kampionatit, kreun e renditjes. “Kemi pritur më shumë këtë stinor vjeshtor dhe nuk jemi në pozitën të cilën kemi synuar të jemi”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Rudi.

Çfarë nuk shkoi? “Nuk kemi arritur që ta nxjerrim ndoshta maksimumin nga vetja edhe fati shumë herë na ka munguar”, theksoi futbollisti. Vëllaznimi është - 6 pikë nga vendi i dytë, një epërsi jo e madhe, a shpresoni se skuadra e juaj mund të arrijë në vend të dytë në pranverë? “Nuk është epërsi që nuk mund të rikuperohet, kemi shumë besim që do të arrijmë dy pozitat e para në pranverë”, përgjigjet Rudi. 

Vjeshtën e ka përfshirë edhe një stuhi e rezultateve të palakmueshme për disa skuadra siç janë Vllaznia e Pozhoranit,  Fushë Kosova e Ramiz Sadiku, të cilat janë në pjesën e poshtme të tabelës, nga ana tjetër edhe Vëllaznimi ka pretenduar të jetë në dy vendet e para dhe nuk e kënaq pozita aktuale. “Befasia më e madhe është që Vëllaznimi nuk gjendet në vendin e parë apo të dytë këtë stinor vjeshtor”, tha ai. Ndërkaq, me ardhjen e trajnerit të ri, Ismet Munishi, jep optimizëm të kolektivi me renome se do të arrijnë qëllimin, që të rikthehen në elitën e futbollit. Me trajnerin Munishi, a besoni se do të arrini më shumë dhe si e sheh atmosferën? “Atmosfera ka qenë gjithmonë e mirë në klub.

Trajneri Ismet ka punuar edhe më herët bashkë me ne dhe besoj e shpresoj së bashku të arrijmë shumë”, shpreh optimizmin futbollisti. Rudi ka paraparë edhe disa nga skuadrat si konkurrente të fortë në luftë për dy vendet e para: “Vushtrria, Besa, Dukagjini, mendoj se do të janë aty afër”.  Futbollisti mendon se skuadrës së tij i duhet më shumë fati sportiv, për faktin se i ka munguar në pjesën vjeshtore dhe si pasojë e kësaj ngecën në pozitën e gjashtë. “Vëllaznimit i duhet pak me shumë fat që te nxjerrim maksimumin nga vetja të gjithë”, ka thënë Rudi.

Prandaj, në pranverë pritet një luftë interesante në luftë për dy vendet e para mes Vushtrrisë, Besës, Dukagjinit, Vitisë, Vëllaznimit, por që mund të futet nga plani i dytë edhe ndonjë skuadër tjetër. Kështu, që për asnjë skuadër nuk do të jetë lehtë rruga drejt dy vendeve të para në ligën e parë. Nuk duhet harruar faktin, se Vëllaznimi është kualifikuar në çerekfinalen e Digitalb Kupës së Kosovës dhe synojnë të janë sa më lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat