Gostivar, për 94 grante aplikuan 172 të papunë

Gostivari

Gostivar, për 94 grante aplikuan 172 të papunë

Më: 3 maj 2021 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Masat që kanë për synim zbutjen e papunësisë kanë hasur në interesim të madh tek qytetarët e Gostivarit.

Nga shpalljet e fundit të publikuara për personat e papunë, rezulton më atraktive të jetë masa për grant për hapje të biznesit me mjete të pakthyeshme. Me anë të kësaj mase pritet që në Gostivar të bëhen 94 punësime të reja gjatë këtij viti, kurse kanë konkurruar 172 qytetarë.

Sipas drejtorit të Agjencisë për punësim në Gostivar, Hisen Amzai, në bazë të aplikimeve të arritura nga personat e papunë, rezulton se dy qytetarë do të luftojnë për një vend pune. Tashmë administrata është duke shqyrtuar dokumentet e aplikantëve dhe pritet që të fillojë edhe faza e përzgjedhjes. Këta persona që do të selektohen, do të marrin nga 5 mijë euro mjete të pakthyeshme për fillim të biznesit. Ende nuk dihet se trajnimet për fituesit e kësaj mase do të zhvillohen me prezencë fizike apo online, dhe kjo do të varet nga pandemia.

“Në fillim të muajit mars të këtij viti patëm disa shpallje publike, prej të cilëve më interesante ishte masa për vetëpunësim përmes grantit me mjete të pakthyeshme, në të cilën masë interesimi ishte shumë i madh. Konkursi ishte i hapur vetëm tre ditë, ku aplikuan 172 kandidatë, me çka pritet që brenda vitit 2021 të bëhen diku 94 punësime të reja”, deklaroi Amzai.

Nga ana tjetër, janë disa masa që tashmë kanë përfunduar dhe kandidatët janë në pritje të rezultateve. Me masat subvencionim në rroga, pritet që të bëhen 35 punësime dhe 110 të tjerë me masën praktikant. Ndryshe, nga masa për vetëpunësim përmes grantit me mjete të pakthyeshme që është më e pëlqyer, në masën tjetër kreditim me mjete të kthyeshme qytetarët shumë pak tregojnë interesim edhe pse shpallje publike për këtë masë ka çdo muaj, thotë drejtori Amzai.

“Kishim shpalljen publike për masën subvencionim në rroga, ku këtë vit nuk jemi të kënaqur me interesimin e aplikimeve për shkak të disa problemeve teknike. Në Gostivar kanë aplikuar 32 subjekte juridike për 35 punësime dhe presim rezultatet. Përveç kësaj, kemi pasur edhe shpalljen publike për praktikant, ku janë paraqitur rreth 105 subjekte juridike për 110 praktikantë. Për çdo muaj, në kontinuitet është edhe masa për kreditim me mjete të kthyeshme, por që ka më pak të interesuar”, deklaroi Amzai.

Gjatë vitit të kaluar, përmes këtyre masave në Gostivar ishin punësuar 350 persona. Sipas të dhënave të Agjencisë për punësim në Gostivar, deri më 31 mars të këtij viti gjithsej 10740 persona rezultojnë të papunë. Mbi shtatëmijë persona janë me arsim fillor. Në listën e atyre që presin punë ka edhe 54 magjistër. Periudha e pandemisë dukshëm vështirësoi gjendjen ekonomike dhe shumë ndërmarrje private ishin të detyruara që të zvogëlojnë numrin e punëtorëve, prandaj planet operative për vetëpunësim kanë hasur në interesim më të madh tek personat e papunë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat