Hendbolli i meshkujve, Kosova shpreson kualifikimin në Botërorin 2023

Hendboll

Hendbolli i meshkujve, Kosova shpreson kualifikimin në Botërorin 2023

Më: 3 janar 2022 Në ora: 11:40
Ilustrim

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për meshkuj luan këtë muaj ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2023. Pasnesër Kosova luan në Prishtinë me Greqinë. Me Greqinë takohet edhe më 9 janar në Kretë. Ndeshja e radhës është Kosovë-Turqi, më 12 janar në Prishtinë, ndërsa cikli kualifikues përmbyllet me ndeshjen Belgjika-Kosova, që është më 15 janar.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bujar Qerimi, si dhe kapiteni i skuadrës, Kastriot Jupa, shprehen se niveli i skuadrës është rritur, andaj do të tentojnë kualifikimin në Botërorin e vitit 2023.

Përzgjedhësi Qerimi, duke analizuar rezultatet e vitit të kaluar, tha se ka pritur më shumë nga skuadra, por që është i kënaqur që tashmë është ndërtuar një bazë e mirë e cila premton suksese në të ardhmen e afërt.

Qerimi: Pritjet kanë qenë më të mëdha se rezultatet e arritura

“Vlerësimi im është që kemi stabilizuar një grup të lojtarëve, çdoherë ka ndryshime të vogla por baza e kësaj ekipe është e njëjtë dhe qëllimi është këtë grup ta çojmë sa më larg që është e mundur, mirëpo gjatë këtij viti kemi pasur (lëvizje) në rezultate. [...] Grumbullimi që ka qenë në këtë grupin e kualifikimeve të Kampionatit Botëror. Grumbullimi i parë nuk ka qenë me aq rezultate të pritshme, unë personalisht kam pritur që së paku dy pikë duke marrë parasysh që grupi ka qenë jashtëzakonisht i ekuilibruar. Greqia ka qenë pak favorit dhe ka treguar që e ka atë status. Pritjet kanë qenë pak më të mëdha se sa zhvillimi i ndeshjeve dhe lojërave që kanë rrjedhur”, tha Qerimi.

Qerimi shtoi se cilësia e grupit të lojtarëve që posedon i lejon atij të kërkojë vendin e dytë apo të tretë në këto kualifikuese, derisa shton se nevojitet një qëndrueshmëri e madhe fizike e lojtarëve për të përballuar orarin e ngjeshur të ndeshjeve gjatë këtij muaji.

Qerimi: Po përgatitemi që t’iu bëjmë ballë katër ndeshjeve të muajit janar

“Ekipi është e komponuar prej disa lojtarëve që janë nëpër Evropë, luajnë nëpër klube të ndryshme, por pjesa dërmuese luajnë në kampionatin e Kosovës. [...] Pritjet duhet të jenë diku në këtë grup, vendi i dytë apo i tretë, besoj katër apo pesë pikë, eventualisht gjashtë do të ishte ideale, gjashtë pikë që të mund ta stabilizojmë grupin për performanca të tjera që na presin vitin 2022. [...] Këtë punën që jemi duke e bërë, jemi në një lloj përgatitje të vogël fizike që të mund t’i përballojmë katër ndeshjet që na vijnë në janar sepse janë dy javë, janë dy udhëtime të gjata dhe katër ndeshje prandaj duhet grupi fizikisht t’i qëndrojë presionit, e sidomos presionit të fitores”, theksoi me tutje përzgjedhësi i Kosovës.

Synime te qarta ka edhe kapiteni i Kosovës Kastriot Jupa. Ai thotë se dy fitoret në ndeshjet miqësore ndaj Kuvajtit janë një tregues i qartë për nivelin e grupit dhe se kërkojnë kualifikimin nga vendi i parë apo i dytë në grup.

Jupa: Synojmë njërën nga dy pozitat e para dhe kualifikimin tutje

“Kemi filluar përgatitjet shumë më herët për shkak se e kemi përmbyllur kampionatin dhe kemi pasur kohë të lirë. Kemi pasur dy ndeshje miqësore me Kuvajtin shumë të suksesshme, dy fitore dhe shohim që ka një atmosferë shumë të mirë në ekip dhe presim rezultate pozitive. Jemi të përgatitur, por përgatitemi dy herë në ditë çdo ditë dhe kemi synime te qarta që këto eliminatore të jemi në dy pozitat e para që çojnë në raundin tjetër”, tha Jupa.

Jupa shton se është e domosdoshme fitorja në ndeshjen e parë me Greqinë në Prishtinë që Kosova të mbetet në lojë për kualifikim, ndërsa rivalët e tjerë si Belgjika dhe Turqia i sheh si të barabartë me Kosovën sa i përket kualitetit të lojtarëve.

Jupa: Nuk ia kemi frikën asnjë skuadre, por së pari ta mposhtim Greqinë

“Ndeshja e parë me Greqinë është shumë e vlefshme për ne për shkak se na duhet domosdoshmërisht një fitore që të na mbajë në lojë, të kemi shpresa për një kualifikim. Besoj që do t’ia arrijmë, për shkak se kam besim në bashkëlojtarët e mi, besoj në grupin tonë që do të arrijmë sukses. [...] Jemi katër ekipe të njëjta, kundërshtarë të njëjtë, të nivelit të njëjtë. E kemi rritur nivelin çdo vit e më mirë po shkojmë duke përparuar si ekip dhe tani e kemi arritur nivelin që kemi ambicie të mëdha, kemi ambicie që të kualifikohemi në këtë grup për shkak se i dimë cilësitë tona, e dimë që mund ta arrijmë pozitën e dytë”, theksoi Jupa.

Ndryshe, Kosova tashmë ka luajtur dy ndeshje, me Turqinë dhe Belgjikën, ndërsa e ka një pikë, sa edhe Belgjika. Grupi kryesohet nga Greqia që ka katër pikë e pasuar nga Turqia me dy pikë. Kombëtarja jonë synon njërin prej dy vendeve të para në grup, që siguron avancimin në fazën e dytë kualifikuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat