Zenuni e do një Prizren të mirë: Vetëm bjeshka na ndan prej vendit ku është fituar Liga e Kampionëve 

Hendboll

Zenuni e do një Prizren të mirë: Vetëm bjeshka na ndan prej vendit ku është fituar Liga e Kampionëve 

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shtator 2022 Në ora: 15:51
Shehadin Zenuni

Prizren synon rikthimin në elitën e hendbollit të Kosovës (meshkujt).  

Synimi i prizrenasve është që të rrisin nivelin e lojës dhe të rikthehet aty u e ka vendin, në shoqërinë e më të mirëve.   

Me kryetrajnerin e ri, Shehadin Zenuni, ish hendbollist i shquar dhe ish anëtar i kombëtares së Kosovës, besojnë e shpresojnë se do të arrijnë qëllimin.

Zenuni është para sfidave të reja dhe i emocionuar që u rikthye në ekipin që arriti afirmimin, por tani është si kryetrajner. 

“Kujtova se jam shëruar prej sëmundjes e quajtur hendboll, por ja gabova, sëmundja ishte aty, prezente në brendësinë time dhe tani përsëri po shfaqet.

Mbas 13 viteve më shumë mallëngjim dhe emocione i kthehem asaj që shumë e dua. Vërtet është e vështirë të ndahesh nga një gjë e cila të lidh me rininë dhe kujtime magjepse të tua”, - thotë Zenuni.

“Bota sot”, Jeni emëruar kryetrajner i KH Prizrenit...

Shehadin Zenuni: Po, është e vërtet se prej 22 gushtit të këtij viti kryesia e KH Prizrenit me emëroi si kryetrajner i ekipit të pare. 

Ishte dëshira e dyanshme dhe mbas ca takimeve të ngrohta marrëveshja ishte evidente. 

Siç është e njohur në opinion klubi hendbollistik Prizreni është një klub me histori të vjetër dhe të pasur.

Mirëpo, viteve të fundit (lirisht mund të themi dy dekada të fundit) e gjejnë klubin në gjendje të rëndë financiare dhe organizative. 

“Bota sot”: Kush është fajtor?

Shehadin Zenuni: Kush është fajtor? Gjithë ne të cilët e patëm edhe kontaktin më të vogël dikur me klubin jemi fajtor; veteranët, kryesia, komuna, simpatizuesit...

“Bota sot”: Tani klubi e ka kryetarin e ri?

Shehadin Zenuni: Tani, me ardhjen e kryetarit të ri Surija Shalqini, së bashku me një ekip të mrekullueshme në kryesi, shpresojmë për rilindje të klubit. Vërtet vërehet riorganizimi i mirëfilltë dhe dëshira e sinqertë për punë.  

Mirëpo, problemet janë të domosdoshme. Jemi në Kosove ku sporti shumë vështirë mbijeton. Tani kemi drejtë të shpresojmë në suksese mbasi kushtet elementare janë realizuar falë donatorëve. Por jo të premtojmë gjëra të mëdha. 

“Bota sot”: KH Prizreni dikur ka luajtur rol të madh, tani disa vite thuajse është i “vdekur”?

Shehadin Zenuni: Me të vërtet klubi ishte një periudhë e gjatë thuajse i “vdekur” dhe kjo ka pasoja. Jemi të vetëdijshëm për sfidat sepse dojmë të funksionojmë pak më ndryshe. Analiza e hendbollit kosovar tregon se në periudhën e pasluftës hendbolli vendor shumë pak ka përparu. Prandaj, është koha e qasjes më serioze, e diagnostifikimit të problemit dhe shërimit të tij. Për atë arsye planet tona janë të gjata dhe shumë serioze dhe ambicioze, Zoti na ndihmoftë. 

“Bota sot”: Fondi i lojtarëve?

Shehadin Zenuni: Edhe pse jemi të njohur për padurim, ne dojmë për një vjet pune me prek majën. Si çdo klub edhe ne po përballemi me pengesa të shumta. Fondi i lojtarëve cilësor nuk është i mjaftueshëm, edhe pse kemi lojtarë shumë të rinj me potencial premtues, por atyre i duhet shumë punë që te rriten në lojtarë të kalibrit serioz. Asgjë nuk është e paarritshme. Vetëm bjeshka na ndan prej vendit (me Maqedoninë e Veriut) ku është fituar Liga e Kampionëve në hendboll. Pse ata mundem e ne jo? 

“Bota sot”: Çfarë premtoni?

Shehadin Zenuni: Përsëri e ceki nuk premtojmë asgjë, as që i përmendim sukseset, ato janë momentalisht për neve luks. E vetmja gjë që premtojmë është: Puna serioze, disiplina dhe angazhimi maksimal.

Duhet në ekip të mbizotëroj mentaliteti fitues dhe vetëbesimi i lojtarëve. Çdo ekip në gara do ta respektojmë maksimalisht dhe do t’i qasemi me seriozitet maksimal. Prandaj, çdo ekip për neve është rival i denjë.

Shpresojmë në suksese dhe në momente kur dashamirë të hendbollit prizrenas do të dalin nga palestra të kënaqur me atë që shikuan.  Prizreni këtë e meriton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat