Besa nuk befasohet nga Vushtrria, Kastrioti mposht Prishtinën

Hendboll

Besa nuk befasohet nga Vushtrria, Kastrioti mposht Prishtinën

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 22:35
Kastrioti

Vushtrria i ka bërë rezistencë Besa Famgasit, por megjithatë pikët kanë mbetur në Pejë.

Të shtunën mbrëma në kuadër të xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt), Besa Famgas e mposhti Vushtrrinë me rezultat 38:34.

Ndeshja u luajt në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Pas epërsisë 4:1 të skuadrës vendase, më shumë nga loja kishte Vushtrria që ka udhëhequr për kohë të gjatë në pjesën e parë.

Madje epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në pesë gola, 13:8.

Pas pjesës së parë megjithatë rezultati ishte i barabartë, 16:16.

Në pjesën e dytë Besa ka mbajtur epërsinë, por mysafirët nuk janë dorëzuar deri në fund.

Disa herë janë afruar në dy gola, por pa rrezikuar epërsinë e skuadrës vendase.

Egzon Gjuka ka udhëhequr Besën me 12 gola.

Nga gjashtë i shënuan Jon Muqolli e Arbios Mushkolaj.

Nemanja Drakuloviq i shënoi 12 gola për Vushtrrinë. Gjashtë i kishte Bozhidar Nikoqeviq, ndërsa nga pesë i shënuan Erkan Abazxhiku e Halim Miftari.

Ndeshje me rëndësi është luajtur edhe në Ferizaj në mes rivalëve të moçëm, Kastriotit dhe Prishtinës. Fitore shënoi skuadra vendase me rezultat 28:24.

Në pjesën e parë u luajt lojë e fortë, ndërsa mysafirët u shkëputën deri në tri gola. Por në epërsi ishin edhe vendasit.

Kastrioti bëri shkëputje në fillim të pjesës së dytë (19:14) dhe më pas e mbajti epërsinë prej 4-5 golash deri në fund. Festim Mustafa ishte më efikasi te Kastrioti me 11 gola.

Shtatë i shënoi Hamdi Salihu, ndërsa gjashtë i kishte Mohamed Ali Arib.

Samid Mekiq shënoi shtatë gola për Prishtinën, kurse gjashtë i kishte Oltion Beshiri.

Ndërkohë Deçani nuk ka lejuar befasi duke fituar 31:19 ndaj Llapit. Të dielën është ndeshja Vëllaznimi – Rahoveci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat