Eugen Saraçini propozon modelin britanik, të ndëshkohen me burgim tifozët që futen në fushë

Hendboll

Eugen Saraçini propozon modelin britanik, të ndëshkohen me burgim tifozët që futen në fushë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 11 maj 2023 Në ora: 15:35
Eugen Saraçini

Viteve të fundit është rritur dhuna sidomos sharjet nga tifozët në stadiume dhe posaçërisht në palestra sportive në Kosovë pavarësisht se cilit sport i takojnë. 

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, propozon modelin britanik, nëse një tifoz futet në fushë, të ndëshkohet minimum me tre vjet burgim. 

z. Eugen, a duhet që edhe në Kosovë së shpejti të aplikohet ligji si në Britaninë e Madhe, nëse një tifoz futet në fushë, minimumi të dënohet me tre vjet burgim dhe a do të jetë kjo më e shëndetshme po ashtu edhe parandalues i veprimeve të dhunshme nga ana e huliganëve por edhe disa klubeve që në një formë organizojnë ndonjë skenar që të shkaktojnë trazira nëpër terrene sportive, qoftë në futboll, basketboll, hendboll, volejboll etj.?

Image

Eugen Saraçini

“E rëndësishme është që të krijohen mekanizma, të cilat janë mekanizma parandalues, kjo është shumë më rëndësi në këtë kuadër përveç organizimeve të federatave dhe përcaktimit të rregullave të cilat duhet të respektohen nga çdo kush, i gjithë ky aktivitet duhet të përcillet edhe me bazën ligjore, e cila do të duhej të jetë shumë e qartë në vendin tonë dhe e cila do të kishte qenë një vrojtues i mirë por edhe ndëshkues i mirë ndaj incidenteve ose personave si individëve ose grupeve të cilat shkaktojnë incidente.

Kjo është e nevojshme për arsye, se ne dëshirojmë me pa që në salla tona, nëse flasim për hendboll, duhet të shohim anëtarë të familjes, fëmijë sa më shumë të cilët në të ardhmen eventualisht do të mund të jenë të motivuar nga ato ndeshje të cilat i shikojnë, që edhe ata një ditë të caktuar të kyqen në sportin e caktuar.

Shumë pak familje shohim në salla të sportit, për arsye jo rrallë dëgjojmë edhe fyerje të ndryshme, sharje të ndryshme, të cilat nuk janë të mira për një ambient ku familjarët mund të vijnë dhe të kënaqen në një event sportiv.

Natyrisht ju keni të drejtë kur thoni se modeli britanik është shumë shumë i qëlluar dhe ka dhënë rezultate, për arsye se nëse tifozeria britanike ka qenë një ndër tifozeritë më agresive, më incidentale në sportin e futbollit posaçërisht, ajo tifozeri tashmë më e tillë nuk ekziston për arsye se janë krijuar ose janë imponuar zgjidhje ligjore, të cilat janë shumë të ashpra ndaj gjithë atyre që mund të dhunojnë këdo të përfshirë në sport.

Vetëm dy metra është larg prej ulëseve në çdo stadium pothuajse në Britani në terren sportiv dhe nuk sheh askënd që hyn brenda dhe nuk ka për qëllim me dhunu dikë, për arsye se masat janë drastike, përveç sigurimit i cili intervenon shpejt, ai individ do të përballej me burgim minimal prej tre vjetësh. Nuk e besoj që ka njeri normal i cili do mi shpenzu tre vjetët e ardhshëm në burg, për arsye se e ka dhunu rregullin e parë ose ligjin e ka dhunu, jo më qëllime eventuale të këqija.  Kështu që edhe te ne do të duhet të merren masa, ndryshime ligjore të cilat duhet të jenë në funksion të kësaj qetësie dhe për mbarëvajtjen e eventeve sportive. Në hendboll dëshirojmë që vërtet të kemi një ambient të mirë, ku tifozët do të kënaqen nga loja, ku familjarët e lojtarëve dhe të tjerët do të vijnë, gjithashtu do të kënaqen në lojë. Kështu nëse ka, do të thotë edhe përkrahje ligjore edhe punë në ekipe më lojtarët dhe tifozët, besoj që çdo ndeshje do të jetë motivuese për çdo të rinj i cili eventualisht dëshiron të merret me hendboll ose me sport. Është e rëndësishme që të krijojmë një ambient të mirë për familjet, për ata të cilët vërtet dëshirojnë që për një vikend ose një ditë të caktuar kur zhvillohet ndonjë ndeshje të shkojnë dhe të jenë nja dy orë të lumtur që e kanë përcjellë një ndeshje, e cila ka qenë interesante për ta, kjo është e nevojshme, për arsye se edhe gjuha e cila aty këtu përdoret, fyerje e ndryshme, sharjet e ndryshme nuk janë krijues të atmosferës së mirë por përkundrazi të atmosferës e cila është e papranueshme për njerëz të cilët shkojnë në sallë”, thotë Saraçini për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendon se futja në fuqi e këtij ligji, shpresojnë që të ndodh ndonjëherë në Kosovë, do të ndikojë fuqishëm në parandalimin e dhunës?

“Ka edhe masa tjera të cilat me ligj janë të ndëshkueshme, po incidentet ndodhin.

Megjithatë nëse do të kemi një ligj të fuqishëm dhe të qartë, unë besoj që nëse jo qind për qindtë por në një përqindje shumë të madhe do të parandalohet.

Mos të flasim edhe për metoda tjera, ne duhet të sillemi si prindër edhe si vëllezër më të mëdhenj ose motra më të mëdha, në edukimin e gjeneratave të reja.

Shumë mirë do të ishte që fëmijët tanë të merren me sport dhe aty  të ushtrojnë vetveten, ta ndërtojnë vetveten në aspektin sportiv por edhe në aspektin mendor, për arsye që fëmijë tani shumë po e përdorin internetin dhe aty këtu po ka, do të thotë sajte të cilët ndikojnë shumë negativisht tek ta.

Pastaj shohim incidente dhe situata katastrofike kur fëmijët e vegjë përdorin dhunën dhe ajo dhunë është katastrofale për shumë kënd”, përgjigjet Saraçini.

Do të thotë ligji britanik është i domosdoshëm edhe për tifozerinë e Kosovës?

“Nëse ka funksionuar atje pse mos të funksionojë edhe këtu”, ka nënvizuar Saraçini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat