Derbi i vërtetë në Ferizaj, Besa fiton

Hendboll

Derbi i vërtetë në Ferizaj, Besa fiton

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 22:22
Pamje nga një ndeshje

Kastrioti e Besa Famgas kanë luajtur derbi të vërtetë të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Para një numri të konsiderueshëm shikuesish dhe në atmosferë të bukur sportive, skuadra ferizajase dhe ajo pejane kanë ofruar shfaqje të bukur hendbolli.

Ndeshjen e fitoi kampionia në fuqi, Besa Famgas, me rezultatin 30:28. Ishte ndeshje e vlefshme për xhiron e 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll, të fundit për këtë vit.

Besa përfundon e dyta me 22 pikë, ndërsa Kastrioti ka 16 pikë në pozitën e katërt.

Besa Famgas u shkëput herët në rezultat, 9:3. Vendasit u afruan, por pejanët megjithatë mbajtën epërsi të lehtë deri në fund të pjesës së parë.

Në minutën e 47-të, Kastrioti barazoi në 24:24. Më pas edhe në 25:25. Por Besa Famgas u shkëput sërish në dy gola, 27:25.

Kastrioti u afrua në një gol, por pa barazuar më. Besa shënoi për 30:27 në minutën e fundit, para se Kastrioti të shënoi golin e fundit për 30:28.

Igor Chiesliov ishte më efikasi te Besa Famgas me tetë gola. Nga shtatë i kishin Arbios Mushkolaj e Antonio Vozila.

Te Kastrioti, nga gjashtë gola i kishin Festim Mustafa e Rron Ramadani.

Ndeshjet tjera të kësaj xhiroje janë të dielën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat