Saraçini i pikëlluar për vdekjen e Morinës: Familja e hendbollit ka mbetur pa një personalitet

Hendboll

Saraçini i pikëlluar për vdekjen e Morinës: Familja e hendbollit ka mbetur pa një personalitet

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 20:05
Çerkin Morina

Të mërkurën ka vdekur Çerkin Morina, personaliteti shumë i rëndësishëm i hendbollit në regjionin e Drenicës dhe hendbollit të Kosovës në përgjithësi. 

Morina ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, ndërsa do të kujtohet gjithnjë për kontributin e madh për zhvillimin e hendbollit në Drenas dhe në përgjithësi në Drenicë.

Ai luajti për Drenicën në vitet 70-ta dhe më pas ishte në gjeneratën e artë të klubit, në vitet 80-ta, kur Drenica garonte me sukses në ligën kosovare-maqedonase.

Më pas u shqua edhe si trajner i suksesshëm. E udhëhoqi Drenicën në periudhën e pavarësimit të hendbollit kosovar e po ashtu edhe pas luftës në periudha të ndryshme.

Profesori Çerkin Morina ua ka mësuar hendbollin gjeneratave të tëra, duke dhënë kështu kontribut të pashoq për zhvillimin e sportit tonë.

“Familja kosovare e hendbollit ka mbetur pa një personalitet dhe një kontribuues shumë të rëndësishëm.

Falë personaliteteve si profesori Çerkin, hendbolli kosovar ka themelet e forta mbi të cilat vazhdojmë të ndërtojmë.

Në emër të komunitetit të hendbollit në vend, i shprehim ngushëllime familjes së nderuar Morina, klubit Drenica dhe gjithë hendbollistëve e hendbolldashësve nga regjioni i Drenicës”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të presidentit të FHK-së, Eugen Saraçini për familjen Morina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat