22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës këtë vit - Bota Sot
22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës këtë vit

Kosova

22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës këtë vit

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 12:33
Pamje nga publikimi i raportit ‘Sfidat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë’

Këtë vit 22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkohë që lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona. Sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbajë primatin si sektori në të cilin më së shumti u rrezikohet jeta punëtorëve.

Këto të dhëna janë bërë publike gjatë ditës së sotme, ku Qendra për Politika dhe Avokim dhe Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) në bashkëpunim me Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë kanë publikuar raportin ‘Sfidat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë’.

Raporti është prezantuar nga Milaim Morina, nga Qendra për Politika dhe Avokim, i cili ka thënë këtë vit në vendin e tyre të punës kanë humbur jetën 22 persona.

Ai ka potencuar se Kosova është vendi me shkallën më të lartë të vdekjeve për 100 mijë të punësuar, që sipas tij 6.3 punëtor në 100 mijë të punësuar.

Morina: 22 vdekje si pasojë e aksidenteve në vendin e punës

“Lëndime të rënda janë 104, vdekje para dy dite ndërroj jetë edhe një punëtor, 24 vdekje, 22 janë si pasojë e aksidenteve në vendin e punës ndërsa dy vdekje janë për shkaqe natyrore. Ne kemi bërë edhe një krahasim se si qëndron puna e aksidenteve në vendet e punës, kemi marrë si mostër krahasimi Kroacinë, e cila i ka 13 mijë e 200 të lënduar dhe 18 vdekje, Shqipëria i ka 154 të lënduar dhe 19 vdekje, Serbia i ka 84 lëndime të rënda dhe 20 vdekje, statistika e Serbisë është e muajit korrik se pas muajit korrik nuk kemi mundur të marrim një të dhënë tjetër. Sllovenia 9 mijë e 270 lëndime të rënda dhe 17 vdekje, ndërsa Maqedonia i ka 134 lëndime dhe 24 vdekje”, tregoi ai të dhënat e raportit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, Çerkin Dukolli, ka prezantuar raportin e punës për vitin 2018.

Ai u shpreh se nga vizitat që kanë bërë nëpër biznese kanë arritur në përfundim se gjendja në sektorin publik është pak më e mirë sa i përket gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë. Megjithatë, ai ka potencuar se edhe në sektorin privat po bëhen hapa të mirë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Dukolli: Shëndeti dhe siguria ende mbetet sfidë në vendin tonë

“Kemi vërejtur se kapacitetet aktuale apo humane të inspektoratit të punës nuk janë të mjaftueshme për të realizuar vizita inspektime në të gjitha ato kompani gjithandej territorit të vendit dhe kemi rekomanduar edhe rritjen e numrit të inspektoratit. Kjo ka marrë rrugë dhe presim që gjatë vitit 2019 të kemi edhe 10 inspektor shtesë të punës. Po ashtu, kemi konstatuar se shëndeti dhe siguria ende mbetet sfidë në vendin tonë, përkundër përpjekjeve që po bëjnë kompanitë, përkundër punës së madhe që po bënë Inspektorati i punës dhe ne ende kemi një numër të lartë të vdekjeve në punë”, u shpreh ai.

Kurse, kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, ka deklaruar se ka një vetëdijesim të punëtorëve për të raportuar rastet e lëndimit në vendin e punës.

Ibrahimi ka deklaruar se gjendja e sigurisë nuk është e mirë, por sipas tij për përmirësimin e gjendjes duhet një bashkëpunim më i mirë i të gjithë akterëve.

Ibrahimi: Ka ngritje të vetëdijes për raportim të lëndimeve në punë

“Numri i të aksidentuarve  i paraqitur dhe i raportuar është shumë më i lartë sesa vitin e kaluar, por kjo nuk është që ka pasur më shumë ose së paku nuk mund të konstatoj që ka pasur më shumë të aksidentuar sesa vitin e kaluar. Por, raportimi këtë vit është jashtëzakonisht i lartë dhe është i qind për qind i raportuar që është një përmirësim i vetëdijes së përgjithshme shoqërore, po edhe i punëtorëve dhe i punëdhënësve sepse edhe gërvishtjeve të vogla raportohen, kurse vitet paraprake janë raportuar vetëm lëndimet e rënda. Kështu që, ky është një përmirësim cilësor, që po e përfshij këtë rast me e bë krahasimin edhe me arsyetua këtë ne këtë vit kemi pasur 1 mijë e 500 ankesa, 1 mijë e 438 ankesa vetëm për  11 muaj, kjo tregon një ngritje të vetëdijes së punëtorit”, tha ai.

Raporti i publikuar sot nga Qendra për Politika dhe Avokim dhe Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) në bashkëpunim me Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë është pjesë e projektit “Sundimi i Ligjit-Promovimi i të Drejtave te Punëtorëve”  që implementohet nga Qendra për Politika dhe Avokim(QPA) dhe financohet nga Olof Palme International Center (OPC).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...