Pritet mbyllja e universiteteve nëpër Kosovë, ato do të profilizohen

Kosova

Pritet mbyllja e universiteteve nëpër Kosovë, ato do të profilizohen

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 19:01
MASHT

Ende nuk po dihet se kur do të vendoset për fatin e Universiteteve Publike, të hapura gjatë fushatës zgjedhore nga Presidenti Thaçi në disa qytete. Ndonëse ishte thënë se vendimi do të merret në janar të 2018’ës, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap i vetëm në këtë drejtim. Në MAShT thonë se raporti i ekspertëve ka sugjeruar për profilizim të universiteteve, por deklarojnë se për këtë do të vendos Qeveria dhe Kuvendi. E në Qeveri as që janë në dijeni se ku gjendet ky raport.

Kanë kaluar më shumë se 1 vit që nga koha kur Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kishte deklaruar se gjashtë universitetet publike do të shndërrohen në fakultete.

Për të marrë vlerësime për qëndrueshmërinë dhe cilësinë e tyre, Bytyqi kishte formuar edhe një komision. Derisa si datë se kur do të vendosej për fatin e tyre e kishte dhënë fundin e janarit të vitit të kaluar.

Por, që prej atëherë edhe pse kishte shumë deklarime për fatin e tyre, tash e sa kohë po zvarritet vendimi i tyre për to.

Në Ministrinë e Arsimit fajin për këtë po ia lënë Qeverisë dhe Kuvendit, pasi që puna e tyre ka përfunduar me dërgimin e raportit, dhe se vendimi do të merret nga këto institucione.

Zëdhënësi i MAShT’it, Valmir Gashi ka thënë se raporti i ekspertëve ka sugjeruar për profilizim, por se për këtë do të vendos ekzekutivi dhe legjislativi.

“Raporti i ekspertëve ka sugjeruar për profilizim të universiteteve publike. Raporti i është dërguar Qeverisë dhe Parlamentit dhe tutje do të jetë vendim i këtyre dy institucioneve”, ka thënë Gashi.

Por, në anën tjetër, në Qeveri as nuk e dijnë se ku gjendet saktë ky raport.

Vetëm deklarojnë se raporti ende nuk ka arritur në Zyrën e Kryeminisrit.

“Sipas Sekretarit dhe stafit tjetër përcjellës, ky raport ende nuk është ardhë në Zyrën e Kryeministrit. Ndoshta është dërguar nëpër Ministritë relevante”, ka thënë zëdhënësja e Qverisë,Donjeta Gashi.

E njejta muaj më parë kishte thënë se çështja e universiteteve është në proces dhe se shumë shpejt do të dalë për diskutim publik

"Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, Raporti rreth vlerësimit të qëndrueshmërisë së universiteteve publike në Kosovë është ende në diskutim të brendshëm në nivel Qeverie dhe shumë shpejt do të dalë në diskutim publik", kishte  thënë Gashi.

Derisa kishte shtuar se grupi i ekspertëve për këtë projekt ka bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar që merren me Arsimin e Lartë.

"Janë dhënë informacione dhe detaje nga gjendja në terren. Grupi i ekspertëve ka bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, pra ekspertët nga projekti “HERAS” që merren me Arsimin e Lartë. Kurdo qe do të del në diskutim publik ju informojmë me kohë. Pra është çështje në proces", thuhet në përgjigjet e Gashit.

Ndërkohë se  këto universitete duhet të mbyllen ose të shndërrohen në fakultete ishte thënë shumë herë nga njohësit e arsimit. Ata kishin vlerësuar se edhe hapja edhe akreditimi i këtyre universiteteve ishte bërë në shpërpushje me ligjin, duke i hapur në kohë zgjedhjesh për të siguruar vota.

Dukagjin Pupovci, njohës i arsimit, kishte thënë se të gjashtë universitetet janë themeluar duke mos i përfillur kërkesat ligjore, pasi që institucioni i vetëm i arsimit të lartë që mund ta mbajë emërtimin “universitet” është Universiteti i Prishtinës.

 “Gjashtë universitete të tjera janë themeluar duke mos e përfillur fare këtë kërkesë ligjore dhe, po ashtu, janë akredituar në kundërshtim me ligjin. Kjo është bërë me vetëdije të plotë nga Qeveria, Kuvendi dhe Agjencia e Akreditimit, ndaj së cilës vazhdimisht është ushtruar presion politik që ta anashkalojë ligjin për t’i akredituar këto universitete”, kishte thënë Pupovci.

Pupovci kishte thënë se këto universitete kanë hapur dhe kanë akredituar programe nga fusha të ndryshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën dhe se shndërrimi i tyre në fakultete mund të bëhet vetëm nëse do të ketë mbyllje të programeve dhe fokusim në fusha të caktuara.

Sipas tij, në këto universitete ka mungesë stafi dhe se nëse nuk vendoset rend në pranim dhe avancim të stafit, ka pak shpresa në përmirësim të cilësisë.

Edhe njohësi tjetër i arsimit, Jusuf Thaçi, kishte deklaruar se këto institucione janë në mospërputhje ligjore, dhe se janë hapur për ta ulur artificialisht papunësinë.

“Universitetet janë në mospërputhje ligjore dhe janë hapur nën euforinë zgjedhore, për ta ulur artificialisht papunësinë, si dhe për të marrë vota”, ka thënë ai.

Thaçi kishte thënë se në shumë programe të këtyre universiteteve nuk ka as cilësi minimale dhe se cilësia është problem sikurse në UP.

E idenë për kthimin e këtyre universiteteve si degë të UP-së, e kishte dhënë shumë muaj më parë edhe përfaqësuesi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci.

Gjinovci kishte thënë për media se është evidente që Kosova nuk ka kapacitete për aq universitete publike sa janë hapur.

Ai kishte deklaruar se kanë nevojë për kolegje të specializuara, për shkolla profesionale të cilat zëvendësojnë hapësirat që lë Universiteti i Prishtinës dhe jo siç ishte shprehur ai për “universitete më të dobëta se ai i Prishtinës”.  

Ndërkaq, vetë iniciatori për hapjen e tyre, presidenti Thaçi ka zgjedhur heshtjen. Ai nuk është deklaruar asnjëherë për nismën e ministrit Bytyqi për shndërrimin e këtyre universiteteve në fakultete. Ndryshe, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë që një institucion të quhet universitet, duhet t’i ketë të paktën pesë programe të doktoratës nga pesë fusha të ndryshme akademike, prej të cilave ka nxjerrë të diplomuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat