Tri sheshet kryesore të kryeqytetit ishin të mbushura me qytetarë të shumtë të cilët mezi po e prisnin parakalimin për herë të parë që do e bënte ushtria e Kosovës me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Suksesin më të madh të Kosovës qytetarët e konsiderojnë themelim e ushtrisë, për të cilën ata sot u ndjenë shumë krenar.
Por të pakënaqur u shprehen me punën që kanë bërë udhëheqësit e deritanishëm të politikës, derisa kërkojnë më shumë që të punohet në zhvillimin ekonomik.
Ismajli Berisha nga Prishtina thotë se derisa parakalonin ushtritë e Kosovës u ndje shumë mirë, por që shprehet skeptik se liderët aktual do e përmirësojnë gjendjen aktuale në vend.
Berisha: Kënaqësia ishte e madhe derisa parakalonte ushtria
“Kënaqësi e madhe ishte, e kam ndier vetëm shumë mirë...Nëse pyetni për forcat ushtarake është bërë, përndryshe në aspektet tjera asgjë, zero..Jam mjaftë skeptik kështu me këtë lloj udhëheqëseje që e kemi, me këta njerëz do të ketë përmirësim në gjendjen të cilën po e përjetojmë shumë rëndë“, ka thënë ky qytetar.
Ramiz Miftari, qytetar nga Prishtina nuk u shpreh i kënaqur me organizimin e festimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Aspak i kënaqur u shpreh edhe me punën që është bërë për këto 11 vite, derisa fajtor kryesor sipas tij janë elita politike në vend.
Miftari: Organizimi për festimin e 11 vjetorit shumë i dobët
“Me punën që është bërë shumë pak ka mundur të bëhet edhe më shumë po të ishte në nivel udhëheqësi më shumë do kishte me u bë...08’11 Është dashur më shumë me u bë dhe në bazë të atyre të dhënave që i ka dhënë Qeveria është dashur organizimi të jetë më i mirë, nga Qeveria është shumë i dobët organizimi”, u shpreh Miftari.
Me Miftarin pajtohet edhe Basri Hoxha një qytetar i cili kishte ardhur nga Varoshi për të festuar në Prishtinë 11 vjetorin e pavarësisë.
Ai thotë se themelimin e ushtrisë së Kosovës e ka pritur gjatë, por i pakënaqur u shpreh me punën e liderëve politik.
Hoxha: Udhëheqësinë e kemi shumë të dobët
“Më mirë më nuk ka si me qenë, këtë e kemi pritur...Me zhvillimin e Kosovës pak udhëheqësinë e kemi pak të dobët, udhëheqësia duhet me punua me tepër për me ardhur edhe popullata për tu kënaqur, kështu siç po e shohim në udhëheqësi jemi shumë të dobët”, tha Hoxha.
Në anën tjetër, Servete Pozhegu u shpreh optimiste për punën që është bërë deri më tani në vend. Ajo tejet krenare u shpreh edhe për ushtrinë e Kosovës.
Pozhegu: Kosova është zhvilluar aq sa ka pasur mundësi
“Shumë mirë, shumë bukur...Është zhvilluar sa ka pasur mundësi”,ka thënë ajo.
Për të festuar 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës kishin dal edhe shumë fëmijë të cilët në duart e tyre mbanin flamujt e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Disa prej tyre madje për këtë ditë të rëndësishme për Kosovën kishin thurur edhe vargje.
Hertica: 17 shkurti ditë e arritur me krenari
“17 shkurti dita jonë do shqiptar po e feston me gëzim e lumturi po e festojmë këtë pavarësi. 17 shkurti ditë e merituar me shumë gjak e fituar, ditë e arritur me krenari tash Kosova pavarësi”, u shpreh kjo vogëlushe.
Parakalimi madhështor i ushtarëve të Kosovës në tri sheshet kryesore është përcjellë me disa fluturake në qiell që kishin ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe ato ‘Kuq e Zi’.
Përveç krerëve shtetëror e qytetarëve të shumtë në këtë ceremoni morën pjesë edhe shumë fytyra të njohura ndërkombëtare e ndër ta ishte edhe William Walker i cili nga afër i përshëndeti qytetarët e pranishëm.