Mbetje mortore nga lufta në Zallq, Shteti s’ka shkuar t'i shohë se t’kujt janë

Kosova

Mbetje mortore nga lufta në Zallq, Shteti s’ka shkuar t'i shohë se t’kujt janë

Më: 3 mars 2019 Në ora: 15:57
Zallq

Kanë kaluar më shumë se tre që kur një prej banorëve të Zallqit të Istogut, kishte gjetur mbetje mortore në varrezat e fshatit. Banorët po dyshojnë se ato i përkasin Dedë Berishës, të zhdukurit të vetëm nga ky fshat gjatë luftës. Por, edhe pas kaq muajsh, institucionet ende nuk kanë shkuar në këto varreza për t’i vërtetuar këto dyshime

Ishte prilli i vitit 1999, kur Kristë Berishës nga Zallqi i Istogut i ishte zhdukur babai. Që nga ajo kohë, ai nuk ka dëgjuar asnjëherë për fatin e tij.

Për rreth 20 vjet rresht, familja Berisha nuk kanë arritur të marrin as edhe një informatë se ku gjendet familjari i tyre, Dedë Berishaj, i zhdukuri i vetëm nga ky fshat, gjatë luftës në Kosovë. 

Por, së fundi atyre iu është kthyer shpresa se do të gjejnë eshtrat e familjarit. Ata po besojnë se mbetjet mortore që janë gjetur në dhjetor të këtij viti në varrezat e fshatit, nga një prej banorëve, i përkasin babait të tyre. 

Xhafer Shala, i cili i kishte gjetur këto mbetje, tregon se derisa kishte qenë duke e hapur varrin e një prej banorëve të këtij fshati, duke gërmuar atë ditë, kishte hasur në diçka jo të zakonshme në dhe.

Pas gërmimit që kishte bërë, në sipërfaqe kishin dal një palë çorape të shpuara nga plumbat dhe një batanije, brenda së cilës kishte eshtra që dyshohet të jenë të njeriut.

Image

“Unë kam ardhë këtu edhe kam qenë duke e hapur një vorr. Aty i kam gjetë do çorape edhe një qebe. Kur e kam qel qeben kanë qenë do eshtra brenda saj. Eshtrat munden me qenë të luftës. Atë natë kanë ardhë Policia edhe e kanë lokalizu atë pjesë, edhe kanë ruajt aty tërë natën”, tregon Shala.

Por, përveç vendosjes së atyre shiritave nga Policia rreth hapësirës ku janë gjetur mbetjet, Shala thotë se institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim tjetër. Eshtrat vazhdojnë të jenë të gropuara në vendin e mëparshëm.

“Ende nuk ka ardh askush prej institucioneve me i kqyr se kujt i përkasin “, tregon Shala.

Image

Por, edhe pse ende nuk dihet se kujt i përkasin këto mbetje, Krisë Berisha po dyshon se janë të babait të tij, Dedë Berishës. 

Berisha thotë se babai i tij është i vetmi i zhdukur gjatë luftës nga ky fshat.

“Baba është zhdukë në '99-n në prill, e kanë marrë këtu në fshatin Drej edhe e kanë dërgu në drejtim të Gjurakocit. Prej atëhershmit nuk dihet më asgjë për të. Këtu në Zallq nuk është asnjë person tjetër i zhdukur, përveç tij. Sipas të gjitha gjasave, eshtrat që janë gjetë janë të babait tim.”, tregon me pikëllim Berisha. 

Edhe ai thotë se kanë pritur që sa kohë, që të vijnë institucionet për të bërë identifikimin e mbetjeve, por që kërkesa e tyre ka hasur në veshë të shurdhër.

E në Policinë e Kosovës mos shkuarjen në këto varreza e kanë arsyetuar me kushtet atmosferike. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, kishte thënë se janë në pritje të zbatimit të urdhëresës së marrë nga Prokurori.

Image

“Vendi ku dyshohet për mbetje mortore në Istog, ende nuk është punuar, Policia është në pritje të zbatimit të urdhëresës së marrë nga Prokurori, por ende nuk është ekzekutuar për shkak të kushteve atmosferike”, ka thënë Hoxha. 

Në pritje të një urdhërese për të shkuar në këto varreza janë edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore. 

Arsim Gërxhaliu nga ky Institut ka thënë se ata nuk kanë pranuar ndonjë urdhëresë për të shkuar te vendi, ku janë gjetur këto mbetje mortore. 

Ndryshe, 20 vjet pas përfundimit të luftës, janë edhe 1,648 persona ende të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat