Lokalet e masazheve në Kosovë - A duhet të legalizohet prostitucioni?

Kosova

Lokalet e masazheve në Kosovë - A duhet të legalizohet prostitucioni?

Më: 4 mars 2019 Në ora: 14:43
Foto ilustrim

Dukuria e prostitucionit në Kosovë po zhvillohet në mënyra të ndryshme. E këtij fenomeni së fundi i kanë hapur rrugë edhe lokalet e masazheve.

Prostitucioni tash e sa kohë ka lëshuar rrënjë në vendin tonë. Gjatë muajit janar të vitit 2019 nga policia është trajtuar një rast i marrjes me prostitucion ndërsa janë arrestuar tre persona.

Ndërsa në vitin që e lamë pas janë trajtuar 44 raste si dhe janë arrestuar 131 persona.

Sipas policisë kjo veprimtari më së shpeshti haset në vende sensitive si lokale/klube nate dhe sallone masazhi.

“DHTQNJ-ja i kushton vëmendje, monitoron dhe inspekton ne vazhdimësi vende sensitive; lokale/klube nate, sallone masazhi, rrugët dhe sheshet e qyteteve të R. Kosovës me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie”, thuhet në një përgjigje të policisë.

Shpeshherë është raportuar se përpos vendaseve edhe vajza nga shtetet fqinje si Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi e ushtrojnë këtë veprimtari në Kosovë, mirëpo policia pa përmendur origjinën e tyre thotë se në rastet e ushtrimit të prostitucionit nuk ka viktima.

Të njëjtit theksojnë se aktiviteti po realizohet në bazë të vullnetit dhe zgjedhjes së dyanshme.

Prostitucioni është i legalizuar në shumë vende evropiane, si Franca, Danimarka, Gjermania, Belgjika, Greqia, Austria dhe Holanda.

Por a duhet kjo dukuri të legalizohet edhe në Kosovë?

Avokati i njohur, Arianit Koci është shprehur pro legalizimit mirëpo ai ka theksuar se tani për tani nuk është momenti i duhur.

“Besoj se si në çdo shtet të zhvilluar edhe te ne prostitucioni duhet të legalizohet por tani nuk është koha e duhur. Ky lloj, kushtimisht ta quajmë biznesi duhet të gjej një zbatim strikt të ligjit dhe kontroll të rregullt. Mendoj se ende nuk janë plotësuar kushtet për legalizim”, ka thënë Koci.

Theksojmë se së fundi me urdhër të Drejtorisë së Inspekcionit në kryeqytet janë mbyllur gjashtë qendra masazhi për shkak të mungesës së pëlqimit sanitar. Ndërsa, në polici për këto raste kanë thënë se marrim veprime vetëm kur ka elemente të dyshimit për vepra penale./lajmi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat