Edhe pas 20 vitesh, kërkon drejtësi

Kosova

Edhe pas 20 vitesh, kërkon drejtësi

Më: 26 mars 2019 Në ora: 14:55
Pamje nga vendi i ngjarjes

Mes plagësh e lotëve që u rridhnin, përzier me ndjenja krenarie, banorët e Krushës së Vogël përmes një tubimi përkujtimor shënuan 20 vjetorin e rënies së 113 martirëve, nga ku kërkuan nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të zbardhet e vërteta për fatin e të pagjeturve.

Me këtë rast, aty morën pjesë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetar komunash.

Presidenti Thaçi tha se sot kujtohen mijëra qytetarë të Kosovës, gra, burra, pleq, të rinj e fëmijë, të cilët u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

Ai kujtoi se dhunën sistematike të forcave serbe, shqiptarët e kishin provuar në masakrën e Likoshanit, të Çirezit, Reçakut e vendbanime të tjera të Kosovës. Teksa shtoi se masakra e Krushës ishte më e madhja që ndodhi në gjithë Kosovën, në të cilën u vranë 243 persona.

Thaçi: Në Krushë të Madhe ndodhi masakra më e madhe

"Më 25-26-27 mars 1999, në Krushë të Madhe ndodhi masakra më e madhe ku pësuan 243 persona. Masakra pësuan në gjithë Kosovën. Të nderuar të pranishëm, shumë prej jush i keni humbur më të dashurit tuaj para 20 vitesh. Ne nuk do të harrojmë asnjëherë krimet e bëra në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës nga shteti i Serbisë. Herët apo vonë, kryerësit e këtyre krimeve, spastrimit etnik, vrasjeve deri në përmasa të gjenocidit, do të japin përgjegjësi. Zëri juaj, lotët tuaj, dhembja juaj, flet më tepër se çdo fakt tjetër. Sot jemi në Krushë të Vogël që është simbol i mbijetesës por edhe rilindjes në Kosovën tonë të re. Liria jonë, shteti ynë, themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi. Të jeni të sigurt se të gjitha institucionet e vendit do të vazhdojnë të jenë të angazhuara për zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi për tu sjellë në vendlindjen e vet. Por, edhe ju e kuptoni se sot përsëri përballe i kemi po të njëjtët njerëz të aparaturës të shtetit që ishin pjesë e atij sistemi që kryen spastrim etnik, krime dhe gjenocid në Kosovë, pra njerëz të instaluar në Beograd. Prandaj, asgjë, asnjë nga ne, nuk duhet të presim të mirë nga ta", tha ai.

I pari i vendit theksoi se në këtë ditë të pikëllimit, përcillet edhe mesazhi i krenarisë ku të rinjtë dhe të rejat rriten e shkollohen në liri, në vendin e tyre i cili ndodhet drejt i integrimit evropian.

Kryeministri Ramush Haradinaj, u shpreh se në Krushë të Vogël është një plagë e madhe, përkundër vendit të vogël për nga banorët dhe familjet që jetojnë aty.

Duke parë gra, fëmijë e burra mes lotësh, Haradinaj tha se do t'i nxjerrin në pah më shumë se kurrë, përgjegjësitë që kanë institucionet e vendit ndaj kategorive të lirisë.

Haradinaj:  Krusha e Vogël vendi më i vrarë në Kosovë

"Krusha ka qenë e vogël me banorë, me familje, por numri 113 për një vendbanim kaq të vogël, për kaq pak familje, e bënë Krushën e Vogël vendin më të vrarë në Kosovë. Nuk ka vend tjetër në Kosovë që ka kaq shumë viktima, të marr padrejtësisht. Besoj shumë që duke qenë këtu, duke parë me sy atë që thotë populli, ngat syve ngat zemrës do t'i nxjerrim edhe ne , edhe më tutje edhe më mirë, obligimet tona që i kemi ndaj kategorive të lirisë, ndaj statusit tuaj si familje, qoftë ndaj martirëve qoftë ndaj familjeve, po edhe ndaj fëmijëve do të jemi të përgjegjshëm", tha ai.

Kryetarja e fshatit, Shpresa Shehu, tha se asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari eshtrat e martirëve të fshatit, që edhe pas 20 vitesh nuk pushojnë në vendin e duhur, si dhe drejtësi në institucionet vendore dhe ndërkombëtare derisa drejtësia të vihet në vend.

Shehu u shpreh se ende jetojnë me plagët e thella të cilat bëjnë përpjekje për tu përtharë.

Shehu: Edhe pas 20 vitesh jemi në marsin e njëjtë

"Edhe pas 20 vitesh jemi në marsin e njëjtë, në marsin e luleve të venitura, pa më të dashurit tanë, në marsin e pritjes, në marsin e qëndresës së popullit shqiptar, marsin e masakrave më çnjerëzore që njeh historia e njerëzimit... masakrën e 26 marsit e njeh e gjithë bota, është ndër më e madhja gjatë luftës në Kosovë. U vranë e u zhdukën 113 meshkuj nga mosha 13 vjeçare e deri më të vjetrit.... Çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me ndjeshmërinë dhe përkushtimin më të madh. Institucionet tona duhet të bëjnë shumë më shumë që të zbardhet e vërteta për personat e zhdukur. Për asnjë rast ne nuk do të heshtim kur kërkohet të harrojmë të kaluarën e lavdishme gjoja në emër të pajtimit me pushtuesin. Ne asnjëherë nuk do të ndalemi, që nga institucionet vendore deri tek ato ndërkombëtare, për t'i kërkuar eshtrat e martirëve të fshatit tonë, që edhe p as 20 viteve nuk pushojnë në vendin e duhur", tha ajo.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka u shpreh se është shumë e padrejtë që 20 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë të dënuar për krimet e kryera në Kosovë dhe ende nuk dihet fati i të rënëve.

Haskuka: Një pjesë të fajit e kemi vet

"Është shumë e padrejtë që 20 vite pas luftës, më shumë se gjysma e të vrarëve dhe të masakruar në Krushën e Vogël janë të pagjetur, ende nuk e dimë se ku janë. Është shumë e padrejtë që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë. Është shumë e padrejtë që Serbia ende kërkon të sundojë Kosovën. Është shumë e padrejtë që 20 vjet pas luftës Kosova mbetet e izoluar kurse Serbia shkon drejt integrimit në BE, pa kërkuar falje, pa u përballur me gjenocidin që ka kryer në Kosovë. Prandaj, një pjesë e fajit është edhe e jona, ndoshta nuk kemi mbrojtur sa duhet të vërtetën historike. Duhet çdo ditë që t'i shpjegojmë ato sepse ne po i dimë por bashkësia ndërkombëtare po harron", u shpreh ai.

Kurse, kryetari i shoqatës "26 Marsi", Agron Limani, tha se paslufta sfidoi keq Kosovën, me përfaqësues institucional që përfituan mbi dhembjen e familjeve për të përfituar për vete, teksa akuzoi edhe UNMIK-un dhe EULEX-in për fshehje të fakteve dhe mbulimin e krimeve serbe në Kosovë.

Limani: UNMIK-u fshehu faktet e krimeve serbe në Kosovë

 "Nga ky vend akuzojmë publikisht UNMIK-un për fshehjen e gjurmëve dhe fakteve të krimeve serbe, zvarritjen e hetimeve dhe mosmarrjen e masave për ngritjen e padive për kryerësit e krimeve. Poashtu, akuzojmë misionin e dështuar të EULEX-it, për mbulimin e krimeve serbe me heshtje... Po ashtu, akuzojmë klasën tonë politike të cilët vetëm kur kishin interes personal merreshin me temën e të zhdukurve", u shpreh ai. Ai tha se disa nga botojnë libra autobiografik, në vend se të merren me botimin dhe publikimin e krimeve serbe në Kosovë. Kujtojmë se në mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël për një ditë u vranë dhe masakruan 113 persona prej moshës 13 vjeçare e deri tek më i vjetri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat