Imeraj: Të paditet shteti serb për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës

Kosova

Imeraj: Të paditet shteti serb për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës

Nga: Bota Sot Më: 7 prill 2019 Në ora: 10:30
Shkodran Imeraj

Shef i Departamentit të Historisë Bashkëkohore dhe autor i librit: “Masakrat në Lybenit 1998-1999”, Shkodran Imeraj ka kujtuar masakrën e tretë ndaj banorëve të Lybeniqit.

Ai përmes një komunikate për media është shprehur se “Sot dy dekada pas dua të kujtoj fëmijët e mitur, Muhamet (Qamil) Ukshinaj (tetëmbëdhjetë muajsh), Leonard (Osmon) Alimehaj (shtatë vjeçar) dhe Fatmir (Ahmet) Alimehaj (shtatëmbëdhjetë vjeçar i cili ishte i sëmurë), të cilët u vranë dhe u masakruan në mënyrat me ç’njerëzore me 7 prill të vitit 1999”.

“Sot u mbushën plotë 20 vjet që kur me 7 prill të vitit 1999, forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe kryen masakrën e tretë ndaj banorëve të fshatit Lybeniq (dukë vrarë nëntë banorë), masakër kjo e kryer në bjeshkën e Lybeniqit.

Pas masakrës që forcat serbe kryen ndaj banorëve të Lybeniqit me 1 prill 1999, një pjesë e banorëve të fshatit u strehua në bjeshkën e fshatit. Forcat serbe duke mos kursyer asgjë, prapë me 7 prill 1999 ndërmorën aksionin tjetër ku në bjeshkën e Lybeniqit sulmuan banorët e strehuar aty, dhe me këtë rast mbetet e vrare dhe shuhet përgjithmonë familja e Qamil Ukshinaj (aty nuk u kursye as gruaja e Qamilit, Shyhretja, e cila ishte shtatzënë) si dhe vriten e masakrohen pjesa ma e madhe e familjes së Osman Alimehaj.

Sot dy dekada pas dua të kujtoj fëmijët e mitur, Muhamet (Qamil) Ukshinaj (tetëmbëdhjetë muajsh), Leonard (Osmon) Alimehaj (shtatë vjeçar) dhe Fatmir (Ahmet) Alimehaj (shtatëmbëdhjetë vjeçar i cili ishte i sëmurë), të cilët u vranë dhe u masakruan në mënyrat me ç’njerëzore me 7 prill të vitit 1999.

Me 7 prill 1999, në bjeshkën e Lybeniqit u vranë dhe u masakruan:  Muhamet (Qamil) Ukshinaj, Leonard (Osmon) Alimehaj, Fatmir (Ahmet) Alimehaj, Hate (Qerim) Stojkaj-Alimehaj, Hatmone (Isni) Hamzaj-Alimehaj, Osmon (Tahir) Alimehaj, dhe Shyhrete (Shaban) Zenelaj-Ukshinaj, të cilët ende janë të zhdukur, ndërsa janë gjetur dhe identifikuar: Ferdone (Isni) Hamzaj-Alimehaj dhe Qamil (Brahim) Ukshinaj.

Dy dekada pas masakrave me 1 dhe 7 prill të vitit 1999 ndaj banorëve të fshatit Lybeniq të Pejës, kërkoj nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare që kryerësit e këtij gjenocidi të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Po ashtu, kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës që të bëjnë përgatitjet e duhura dhe të paditët shteti serb për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Lybeniqasit ka hyrë dhe mbetur përjetësisht në analet e historisë së popullit shqiptar, ku me kontributin e tyre që dhanë për lirin, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, janë gurë i madh në shtet ndërtimin e vendit tonë”, thuhet në komunikatën për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat