Magno: Pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Kosovë është e dhimbshme

Kosova

Magno: Pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Kosovë është e dhimbshme

Më: 26 prill 2019 Në ora: 15:34
Edicioni i pestë “Vajzat në TIK 2019”

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit ekonomik, të premten, është organizuar edicioni i pestë “Vajzat në TIK 2019”, e cila për qëllim ka që vajzat e reja të përparojnë në fushën e TIK-ut, si dhe të krijojnë kontakte me kompanitë e TIK-ut në Kosovë përmes një panairi të punësimit.

U tha se pjesëmarrja e grave në tregun e punës, aktualisht në Kosovë, është e dhimbshme.

Abetare Gojani, drejtoreshë e programit Ipko Foundation, tha se një edicion i tillë lindi si shkak i stigmave me të cilat përballen dhe ballafaqohen vajzat e reja dhe gratë.

Gojani: “Vajzat në TIK”, shënohet në më shumë se 171 shtete

“Konferenca e “Vajzave në TIK lindi si një ide për të promovuar arritjet profesionale të vajzave dhe grave kosovare. Në mënyrë që të dihet zëri i vajzave dhe të motivojmë shumë të tjera të arrijnë ëndrrat e tyre pavarësisht stigmave shoqërore. ‘Vajzat në TIK’, shënohet në më shumë 171 shtete në të gjithë botën dhe është një thirrje për të gjithë akterët, institucionet, organizatat, agjencitë e UN që të bashkojnë forcat e tyre për të kontribuar në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në fushën e TIK-ut”, tha ajo.

Gojani tha se krahasuar me vitet paraprake, këtë vit janë regjistruar mbi 800 vajza të reja për pjesëmarrje në këtë edicion.

Ndërkaq, Ylberina Morina, drejtoreshë në RIT Kosova (AUK), tha se ky edicion tashmë është kthyer në  tradicionale, në mënyrë që të fuqizojw vajzat dhe gratë.

Morina: RIT deri tani ka trajnuar mbi 300 vajza

“RIT Kosova përmes institutit për avancim dhe zhvillim ka regjistruar dhe trajnuar mbi 300 vajza në projekte të ndryshme në vit, dhe ka punësuar më shumë se 70 vajza në punë të përhershme. Dhe kjo nuk është e gjitha, ne jemi të përkushtuar që t’iu nxisim juve vajza, në avancimin profesional në TIK nëpërmjet projekteve të ardhshme që janë të shumta. Në projekte edukative, siç është projekti KosLift”, tha ajo.

E ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se sektori më premtues në dhjetë vitet e fundit është i TIK-ut. Duke u zotuar se do të përkushtohen për frymëzimin e vajzave të reja për këto sektore.

Lluka: Të rinjtë duhet të frymëzohen që në të ardhmen të fokusohen në këto drejtime

“Kemi filluar një projekt që vitin e kaluar e kemi implementuar tek shkollat e mesme, dhe këtë vit jemi duke u fokusuar, në shkollat fillore, duke ua siguruar qendrat kreative. Një qendër ku kanë mundësi të rinjtë dhe të rejat të kenë qasje në printera 3D, në mundësi që të kenë qasje në programim, trajnime të ndryshme në programim, çdo projekt që lidhet me TIK-un, në mënyrë që të frymëzohen, që në të ardhmen e tyre të fokusohen në drejtimin e shkencave kompjuterike apo inxhinierinë në përgjithësi”, tha Lluka.

Përveç frymëzimit, Lluka tha se shteti duhet të ofroj infrastrukturë të duhur  që të përkrahen këto iniciativa.

E, Lisa Magno, drejtoreshë e misionit të USAID-it në Kosovë, tha se përfshirja e grave në TIK është një mënyrë shumë e mirë që të fuqizohet barazia gjinore dhe roli i grave në fuqinë punëtore. Por, sipas saj pjesëmarrja e grave në tregun e punës, aktualisht në Kosovë, është e dhimbshme.

Magno: Është e dhimbshme pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore

“Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore në Kosovë është shumë e ultë, është e dhimbshme dhe është shokuese që të shohim se kjo pjesëmarrje është e ngjashme me atë që shohim në vendet e lindjes së mesme, dhe kjo duhet të ndryshohet sa më shpejt, por ka lajme të mira dhe ne kemi shumë shpresë që bazuar nga partneriteti tonë me kompanitë dhe ministritë për të përmirësuar proceset dhe shërbimet e kompanive tjera, për të krijuar më tepër vende të punës dhe intervenimet e USAID-it kanë krijuar 644 të punës për gratë në sektorin e TIK-ut, kemi trajnuar 1600 e më shumë gra dhe 1300 femra kanë përfunduar praktikën profesionale”, tha ajo.

Se gratë në Kosovë nuk e kanë pozitën e mirë në tregun e punës e tha edhe Linda Sanaja nga programi UnWomen në Kosovë. Ajo tha se vendi karakterizohet me steriotipe të ndryshme, duke theksuar se vetëm ¼ e të punësuarëve në sektorin e TIK-ut janë gra.

Një gjë e tillë u dëshmua edhe në hulumtimin e prezantuar nga Venera Demukaj. E cila mes tjerash ka theksuar se në Kosovë, gratë dhe vajzat e reja paguhen më pak se burrat, ani pse bëjnë punën e njëjtë.

Vajzat pjesëmarrëse në edicionin e 5-të të “Vajzat në TIK 2019”, kanë dëgjuar edhe rrëfimet personale të Avery Bang, themeluese e Bridges  for Prosperity  dhe Drena Kusarit, menaxhere e përgjithshme e Lyft.

Kusari ka inkurajuar të gjitha vajzat e reja që të thejnë steriotipet gjinore, që ekzistojnë në lëmi të ndryshme.

Kusari: Ju inkurajoj që të mos ikni nga ideja e ndërtimit të karrierës

“Unë inkurajoj vajzat që janë këtu në Kosovë që  vërtetë, mos të ikin nga ideja e arsimit dhe ndërtimit të karrierës së tyre, në botën e teknologjisë apo ato të cilat konsiderohen, po flasim tani në aspektin stereotip mashkullor, apo të cilat ne jemi rritur përfshirë edhe vetën. Për me qenë inxhinier apo arkitekt, apo teknolog, kanë bërë punë të shkëlqyeshme, kështu që nuk ekziston ajo që kjo punë është për femër apo  mashkull, dëshiroj të ju shoh  të gjithë të rinjve të punoni shumë në lëmitë, që fatkeqësisht konsiderohen si të meshkujve”, tha ajo.

Në Ditën Ndërkombëtare të vajzave në TIK,  në oborrin e kampusit të AUK-ut është organizuar edhe panairi  i punës me biznese dhe organizata vendore. Ndryshe, në vitin 2015, Fondacioni IPKO dhe AUK-TDI organizuan të parën  ditë të vajzave në TIK në Kosovë, duke nisur një paradigmë të re në sektorin e TIK-ut në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat