Gjykata e Apelit ua përgjysmon dënimin ish-policëve për marrje të ryshfetit

Kosova

Gjykata e Apelit ua përgjysmon dënimin ish-policëve për marrje të ryshfetit

Më: 2 maj 2019 Në ora: 19:34
Foto ilustrim

Gjykata e Apelit ua ka përgjysmuar dënimet me gjobë ish-zyrtarëve të Policisë së Kosovës, Neshat Avdaj, Driton Bajrami, Myzafer Sylejmani dhe Binak Bytyqi, të dënuar nga shkalla e parë për marrje ryshfeti.

Kështu, Apeli ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Skënder Morina, Asman Hoxha, Bashkim Nevzati dhe Rexhep Hasani, vetëm sa i përket lartësisë së dënimit, kurse e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila kishte kërkuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të larta.

Ankesat e palëve, Apeli i kishte shqyrtuar në seancën e mbajtur më 15 mars të këtij viti.

Gjykata Themelore në Prizren, më 10 dhjetor 2018, tre nga katër ish-policët e akuzuar për marrje ryshfeti, Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, i kishte dënuar me nga 12 mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit Binak Bytyqi, i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 13 mijë euro.

Fillimisht, gjykatësja Ajser Skenderi, në aktgjykimin e shpallur, të akuzuarit Avdaj, Bajrami dhe Sylejmani, i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim efektiv, si dhe gjobë në shumë prej katër mijë euro, ndërsa të akuzuarin Bytyqi, po ashtu me gjashtë muaj burgim efektiv, si dhe gjobë prej pesë mijë euro.

Mirëpo, pas shpalljes së këtij aktgjykimi, mbrojtësit e të akuzuarve i kishin propozuar gjykatës që dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, të zëvendësohet në atë me gjobë.

Këtë propozim të mbrojtëseve e kishte aprovuar kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, ashtu që dënimin me burgim u kishte llogaritur të akuzuarve në vlerë prej tetë mijë euro.

Si dënim unik, gjykata e shkallës së parë i kishte gjykuar të akuzuarit Avdaj, Bajrami dhe Sylejmani me dënim me gjobë në lartësi prej 12 mijë euro, kurse të akuzuarit Bytyqi i kishte shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 13 mijë euro.

Para shpalljes së aktgjykimit, fajësinë e kishin pranuar të akuzuarit Avdaj, Bajrami dhe Sylejmani, kurse i pafajshëm ishte deklaruar i akuzuari Bytyqi.

Mirëpo, sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, përkundër se shkalla e parë kishte vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, e njëjta gjykatë me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk kishte vlerësuar siç duhet rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarve, prandaj me këtë rast, Apeli ka vendosur që të zbusë dënimet e shqiptuara ndaj tyre.

Kështu, të akuzuarve Avdaj, Bajrami dhe Sylejmani që nga shkalla e parë ishin dënuar me nga 12 mijë euro gjobë, Apeli ua ka zbutur dënimet në 5500 euro, për secilin prej tyre.

Ndërsa, i akuzuari Bytyqi që nga shkalla e parë ishte dënuar me 13 mijë euro gjobë, pas vendimit të Apelit do të duhet të paguajë gjobën në lartësi prej 6500 euro.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtësve të  akuzuarve nga se përveç rrethanave rënduese që me të drejtë cekën nga gjykata e shkallës së parë, ka edhe rrethana lehtësuese të cilat gjykata e shkallës së parë, nuk i ka marr fare parasysh edhe atë sidomos rrethanat lehtësuese, se i akuzuari Neshat Avdaj, përveç që është familjar, është baba i 4 fëmijëve, i gjendjes së varfër ekonomike, ndërsa, i akuzuari Driton Bajrami, baba i 3 fëmijëve, i gjendjes së varfër ekonomike, i akuzuari Myzafer Sylejmani është baba i 4 fëmijëve, i gjendjes së varfër ekonomike dhe i akuzuari Binak Bytyçi, baba i 3 fëmijëve dhe i gjendjes së varfër ekonomike, pastaj, se të gjithë të akuzuarit janë të papunë, që do të thotë se tani më të njëjtit nuk realizojnë të ardhura mujore”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas Apelit, dënimet e shqiptuara të akuzuarve nga kjo gjykatë janë të drejta dhe të ligjshme, në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve dhe janë në  funksion të preventivës gjenerale dhe se me  këto dënime do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitat e ligjit.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve të prokurorisë, sipas aktgjykimit të Apelit, të njëjtat nuk qëndrojnë nga se edhe ashtu nuk janë cekur rrethana konkrete rënduese të cilat do të ndikonin në ashpërsimin e dënimeve, mirëpo, duke marrë parasysh rrethanat e konstatuara lehtësuese tani nga kjo gjykatë, atëherë sipas Apelit, rezulton se dënimet e shqiptuara si në dispozitiv janë në proporcion me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve, për çka, edhe ankesën e prokurorisë e refuzoi si të pabazuar.

Po ashtu, gjykata e shkallës së dytë ka refuzuar edhe ankesën e të akuzuarit Bytyçi lidhur me shpenzimet procedurale, pasi siç thuhet në aktgjykim, kjo ankesë është pabazuar pasi në të nuk ceket asgjë tjetër konkrete.

Ndryshe, më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Në nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar të akuzuarin Neshat Avdaj me dy mijë euro gjobë dhe me burgim efektiv prej një viti, ndërsa të akuzuarit Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, me nga 1500 euro dhe me nga tetë muaj burgim efektiv, të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin pranuar fajësinë.

Ndërsa, i akuzuari i katërt, Binak Bytyqi, ishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti me arsyetimin se nuk është arritur të provohet akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Mirëpo, më 29 mars 2018, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit nga Apeli, rasti është kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat