Qulangjiu për linçimin e gruas rome: Dështuan institucionet, policia të merret me propaganduesit

Kosova

Qulangjiu për linçimin e gruas rome: Dështuan institucionet, policia të merret me propaganduesit

Më: 30 maj 2019 Në ora: 18:47
Daut Qulangjiu

Gazetari Daut Qulangjiu ka vlerësuar se rasti i gruas rome që u linçua goxha rëndë nëpër rrjete sociale dhe u sulmua së fundmi, flet për dështimin e institucioneve.

Në një intervistë në Info Magazine, Qulangjiu tha se ka nevojë për më shumë punë për riatdhesimin e personave të rikthyer në Kosovë.

“Kjo është një grua që është riatdhesuar nga shtetet perëndimore në vitin 2011. Imagjinojeni nga ai vit nuk është bërë një zgjidhje se ku mund të strehohet”.

“Institucionet do të duhej që të kenë kujdes të shtuar qysh në fillim kur kanë bërë strategjinë për riatdhesim. Në veçanti për ata persona që nuk kanë vendstrehim, nuk kanë çka të punojnë, duhet të merren më shumë me këto raste. Këto raste dëshmojnë se institucionet tona kanë qenë të paafta në riatdhesimin e komuniteteve”.

Qulangjiu pati kritika për situatën e gruas rome pas intervistimit nga policia, duke shprehur shqetësimin që ajo nuk u morr në mbrojtje.

“Edhe pse ishte një propagandë e zgjeruar dhe e fuqishme në rrjetet sociale kundër saj, ajo prapë lihet e lirë. Nuk merret ne mbrojtje”.

“Propaganda mori aq bujë të madhe sa që mund të them tani se duhet të jemi shumë të lumtur që nuk ka ndodhur më e keqja”.

Ai gjithashtu theksoi se policia ka nevojë që të trajtojë më shumë propagandën që e përcolli gjithë këtë rast.

“Do të duhej të merren pak më tepër për propagandën që është bërë ndaj saj. Në këtë rast ka propaganduar kinse ajo po kidnapon fëmijë. Policia duhet të merret më tepër – t’i hulumtojë të gjithë, duke filluar nga rrjetet sociale e deri tek mediat”.

Gazetari gjithashtu tha se përmes këtij rasti është shfaqur homofobia dhe racizmi dhe se kjo ngjarje shpërfaq prirjet e shoqërisë kosovare për këso reagime në momente të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat