Policët mohojnë të jenë kanosur nga i akuzuari, prokurorja heq dorë nga ndjekja penale

Kosova

Policët mohojnë të jenë kanosur nga i akuzuari, prokurorja heq dorë nga ndjekja penale

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 15:42
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për kanosje, Fitim Ademi.

Gjykatësi i rastit, Gazmend Bahtiri, e ka shpallur një aktgjykim të tillë, pasi që në seancën e së premtes, prokurorja Ajshe Ferati, ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Ferati, ka hequr dorë nga ndjekja penale, pasi paraprakisht janë dëgjuar dy policët, ndaj të cilëve pretendohej të ishte kryer kanosja, Driton Syla dhe Erblin Dushi.

Të dy zyrtarët policorë, në cilësinë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve janë dëgjuar në seancat e mbajtur më 6 dhe 7 qershor.

Zyrtari policor, Driton Syla ka thënë se asnjëherë nuk është ndier i kërcënuar në rastin për të cilin është ftuar të dëshmojë.

“I frikësuar nuk jam ndjerë asnjëherë dhe as tani, mirëpo për shkak të kryerjes së veprës penale unë është dashur të kryej detyrën time si polic”, ka thënë ndër të tjerash Syla.

Se ishte kërcënuar nga tani i akuzuari, ka mohuar edhe zyrtari tjetër policor, Erblin Dushi.

“Asnjëherë nuk jam ndier as i kërcënuar dhe as i frikësuar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, prokurorja Ferati, gjithashtu ka bërë edhe rikualifikimin e veprës penale, ashtu që nga “kanosje” neni 185 par.1 të KPRK-së, sipas saj, duhet të jetë “kanosje” nga neni 185 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

“Duke pasur parasysh deklaratën e dëshmitarit Erblin Dushi të dhënë në këtë shqyrtim gjyqësor, i cili në pyetjen se “a keni qenë i frikësuar apo i kërcënuar nga i pandehuri”, dëshmitari është përgjigjur “jo, asnjëherë”. Po ashtu, pas pyetjes së shtruar ndaj dëshmitarit Driton Syla, dje në shqyrtimin gjyqësor me 6 qershor 2019, se “a jeni ndjerë i frikësuar apo i kërcënuar me ato fjalë nga i pandehuri”, Driton Syla ishte përgjigjur “i frikësuar nuk jam ndier dhe nuk ndihem”, e duke pasur parasysh veprën penale “kanosje” nga neni 185 paragrafi 1 i KPRK-së, ku thuhet se “Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë…”, atëherë në bazë të nenit 52 të KPPRK-së tërhiqem nga ndjekja penale kundër të pandehurit Fitim Ademi, për veprën penale “kanosje” nga neni 185 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ka deklaruar prokurorja Ferati.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 janar 2019, Fitim Ademi akuzohej se me 7 dhjetor 2018, rreth orës 20:55, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, gjatë shqiptimit të tiketës për kundërvajtje në komunikacion nga ana e policëve, tani të dëmtuarve Erblin Dushi dhe Driton Syla, i pandehuri kishte kanosur ata.

Sipas aktakuzës, një rast i tillë kishte ndodhur, derisa i akuzuari u ishte drejtuar të dëmtuarve me fjalët “Po ju njoh kush jeni dhe do të vi në shtëpitë e juve e do të ju ndjek familjarisht, do ta shihni kush jam”. Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “kanosje”, nga neni 185 par. 3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat