Pezullohet deri më 1 tetor greva e sindikalistëve të judikaturës

Kosova

Pezullohet deri më 1 tetor greva e sindikalistëve të judikaturës

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 17:49
Pezullohet deri më 1 tetor greva e sindikalistëve të judikaturës

Sindikata e Judikaturës së Kosovës , të premten është takuar me kryesuesit e dy këshillave, Skënder Çoçaj e Bahri Hysenin dhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin, me qëllim të diskutimit të kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me statusin e administratës së gjykatave dhe prokurorive. Kjo sindikatë kishte paralajmëruar greva nga data 1 korrik, por që të njëjtit pas këtij takimi kanë njoftuar se do të pezullohet deri më 1 tetor.

Kështu ka njoftuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas të cilëve palët u pajtuan që të punohet së bashku me përfaqësuesit e sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizimin e vendeve të punës sipas ligjit të ri për pagat.

“Palët u pajtuan që: të punohet së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizim e vendeve të punës sipas Ligjit të ri për pagat, të përfundojë procesi i rikthimit të stafit administrativ-teknik në shërbyes civilë, si dhe të bëhen përpjekje për realizimin e pagesës së shtesës prej 50 eurosh nga 1 janari 2019, siç është bërë deri më tani. Pas arritjes së pajtueshmërisë për këto pika, përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës konfirmuan se greva e paralajmëruar për të hënën më 1 korrik 2019 do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor 2019”, thuhet në këtë njoftim.

E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri pas këtij takimi për KosovaPress tha se në bazë të përgatitjeve që janë duke u bërë në kuadër të ligjit për paga, janë duke punuar edhe rreth klasifikimit të vendeve të punës.

Tahiri: U takuam sot me përfaqësuesit e sindikatave 

“Ne u takuam pra bashkë me kryesuesit e Këshillit Gjyqësor, bashkë me Këshillin Prokurorial dhe përfaqësuesit e sindikatave të administratës të sistemit prokurorial e gjyqësor dhe biseduam rreth angazhimit tonë edhe timin si ministër të Drejtësisë edhe të Këshillave në implementimin e kërkesave të tyre. Ju e dini që tashmë ligji i pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet të hyjë në fuqi nga 1 nëntori i këtij viti. Ne do të shohim që në kuadër, gjatë këtyre përgatitjeve që janë duke u bërë rreth klasifikimit të vendeve të punës, punëtorët e administratës dhe Shërbimit Korrektues i Kosovës, vendosen në pozita që i meritojnë me qenë, sepse me të vërtetë bëjnë një punë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, për efikasitetin në tërësi të sundimit të ligjit”, tha Tahiri.

Pas këtij takimi edhe ministri Tahiri ka konfirmuar që sindikalistët do të pezullojnë për një kohë këtë grevë të paralajmëruar.

Tahiri: Këto greva do të shtyhen për një periudhë

“Këto greva pra të shtyhen për një periudhë derisa të kemi qartë pozicionin e secilit pjesëtar të administratës, ose gjyqësorit dhe prokurorisë... Nuk them që u pajtuan por... ata do të vazhdojnë të kenë takime pra edhe me përfaqësues të tjerë që nuk ishin sot dhe besoj që do të hasim në mirëkuptimin, sepse kemi kohë janë edhe disa muaj përpara deri në nënëtor kur hyn ky ligj në fuqi, kur ekzekutohen pagat me ligjin e ri. Pra, kemi kohë të mjaftueshme që t’i adresojmë këto”, ka thënë ai.

Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj sindikate, Bahri Jashari  gjatë ditës së djeshme kishte bërë të ditur për KosovaPress, se janë të detyruar të hynë në grevë, pasi kërkesat e tyre nuk janë plotësuar. I njëjti kishte thënë se në takimin e sotëm, do të paraqesin kërkesat e tyre, për të parë se a ka vullnet për plotësimin e tyre, sepse në të kundërtën sipas tij, greva është e pashmangshme .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat