Veseli hesht pse u mbyll universiteti i hapur nga PDK-ja në vendlindjen e tij - Bota Sot
Veseli hesht pse u mbyll universiteti i hapur nga PDK-ja në vendlindjen e tij

Kosova

Veseli hesht pse u mbyll universiteti i hapur nga PDK-ja në vendlindjen e tij

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 14:28
Kadri Veseli

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, po vazhdon të heshtë lidhur me vendimin e Agjencisë së Akreditimit për të mos e lejuar Universitetin e Mitrovicës të regjistrojë ndonjë student për këtë vit akademik. S’ka folur as për mbylljen e Universiteteve të Pejës e Prizrenit.

Ramush Haradinaj, kryeministër në dorëheqje, kishte lëshuar akuza të rënda në drejtim të njerëzve që vendosën të mos lejojnë tri universitete rajonale të regjistrojnë studentë për këtë vit akademik.

Haradinaj i quajti mercenarë e mafi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët morën vendim që Mitrovica, Peja dhe Prizreni të mos kenë universitete me akreditim pasi kishin marrë një raport vlerësues nga dy ekspertë ndërkombëtarë se gjendja në këto institucione është e keqe.

Megjithëkëtë, njerëzit që themeluan këto universitete po heshtin. Sidomos ata të PDK’së, përveç një reagimi nga ish-Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili mban pozitën e Nënkryetarit në largim të PDK’së.

Asnjë fjalë s’e ka thënë deri më tash Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, i cili të shtunën u kthye nga Amerika dhe mbajti një konferencë për të thënë se Ramush Haradinaj s’e konsultoi kur dha dorëheqje.

S’ka folur as Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, i cili është ideator i hapjes së këtyre universiteteve.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë kishte vendosur të mos i akreditonte këto universitete pasi s’plotësonin kriteret minimale të cilësisë të kërkuara nga dokumentet e miratuara nga Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Parlamenti.

Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ishin votuar nga Parlamenti dhe rrjedhimisht edhe s’mund të shkarkohen nga Qeveria dhe as Ministria e Arsimit.

Tash, pas dorëheqjes së Qeverisë janë zvogëluar edhe më shumë gjasat që mund të detyrojnë KShC’në të ndryshojë vendimin lidhur me mosakreditimin e universiteteve.

Ndërkohë, Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte nisur një ide për t’i mbyllur shumicën e universiteteve publike në Kosovë. Kishte formuar edhe një komision, i cili e hartoi një raport që i nxori keq këto institucione. I njëjti dokument asnjëherë s’është miratuar në Qeveri. I ka dështuar edhe plani që në Kosovë të jenë vetëm dy universitete publike.

Bytyqi pati thënë se do të mbeteshin vetëm dy universitete publike me procesin e reformimit.

“Këto universitete mund të jenë dy universitete në tërë Kosovën, të tjerat si kampuse apo degë të universiteteve, por gjithmonë duke i rishikuar programet aktuale që ekzistojnë. Nuk do të ketë asnjë ndërprerje të programit të studentëve aktualë”, kishte deklaruar Bytyqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...