Vala dhe Z-Mobile “në luftë” me numrat - Bota Sot
Vala dhe Z-Mobile “në luftë” me numrat

Kosova

Vala dhe Z-Mobile “në luftë” me numrat

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 13:14
Fotografi nga arkivi.

Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me rreth 300 mijë klientë të kompanisë Z-Mobile, ndonëse zyrtarët të Telekomit të Kosovës thonë se të gjithë këta numra do të kalojnë në menaxhimin e Telekomit.

Numrat 045 që fillojnë me 5 dhe 6 dhe numrat 046 që fillojnë me 1 i takojnë Z-Mobile, i cili deri para përfundimit të kontratës me Telekomin e Kosovës ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.

Telekomi i Kosovës më 30 korrik e ka shpallur të përfunduar kontratën me kompaninë Z-Mobile, e cila në vazhdimësi ishte përcjell me mosmarrëveshje të shumta.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha për Radion Evropa e Lirë se faza e tranzicionit, e cila do të zgjasë 120 ditë nga data e shkëputjes së kontratës, nuk do të pengojë marrjen e shërbimeve telefonike për konsumatorët e Z-Mobile.

Sipas tij, të gjithë konsumatorët e Z-Mobile janë duke marrë shërbime.

Istrefi shton se pas fazës së trancizionit, numrat e Z-Mobile do të kalojnë nën menaxhimin e Telekomit.

“Ne si Telekom e kemi të qartë që kjo aplikohet në 120 ditë, pas 120 ditëve ne jemi duke e përgatitur çdo proces teknik brenda që të zbatojmë në menaxhimin e këtyre numrave 100 për qind nga Telekomi. Në këtë proces, konsumatori nuk do të jetë pa shërbime që janë duke i marrë. Ne jemi duke gjetur forma dhe modelet më të mira të mundshme që të zbatojmë sa më shpejtë që është e mundur pasi që Telekomi në situatën dhe gjendjen në të cilën gjendet financiarisht ka nevojë për këta numra që të menaxhohen 100 për qind dhe këto të hyra të përdoren në investime kapitale”, thotë Istrefi.

Istrefi shton se në këtë proces të tranzicionit të këtyre numrave të Z-Mobile është i përfshirë edhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), të cilët siç thotë Istrefi janë zotuar se do të marrin modele të ngjashme në Evrope apo në rajon dhe të aplikojmë fazën e tranzicionit.

“ARKEP është duke u munduar të bëjë një zgjidhje më të mirë të mundshme se si do të përfundojë ky proces i tranzicionit”,thotë Istrefi.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ende vendim për numrat e Z-Mobile dhe se palët janë në fazën e tranzicionit, që sipas Gashit, duhet t’i definojnë disa çështje të kësaj faze para se të vendoset për numrat që kanë përdoruesit.

“Jemi në pritje të informacioneve të plota. Më rëndësi është që të këtë vijimësi të ofrimit të shërbimeve për qytetarët”, thotë Gashi.

Klientë të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, të cilët kanë numrat e Z-Mobile, thonë se kanë pasur probleme në lidhjet telefonike.

Ardiana Syla, konsumatore e Z-Mobile, thotë se tani e sa kohë ka probleme në shfrytëzimin e shërbimeve telefonike.

“Unë kohëve të fundit kam pasur probleme të bëj thirrje, mbi 20 herë tenton ta marrësh dikë në telefon dhe nuk arrin. Kemi probleme edhe me shërbimet e internetit. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me numrat tanë, unë nuk do të doja të më ndryshohej numri, do ta doja të kem këtë numër”, thotë ajo.

Klienti tjetër, Arian Sinani, po ashtu thotë të ketë pasur probleme në marrjen e shërbimeve telefonike.

“Po kam pasur probleme, por kjo është tani e sa muaj jo vetëm kohëve të fundit. Nuk kemi ndonjë informacion se çfarë do të ndodhë me numrat tanë”, thotë ai.

Sistemi operativ i Telekomit të Kosovës ishte përballur me probleme teknike kohëve të fundit, që sipas zyrtarëve të Telekomit, kishin ndodhur për shkak të ngarkesës në rrjet.

Sa i përket numrave që përdoruesit kanë me Z-Mobile, në ditën kur ka përfunduar kontrata, kjo kompani pati theksuar se do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri në fund të gjitha mundësitë ligjore.

“Nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z-Mobile, duke e quajtur ‘periudhë tranzicioni’. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z-Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”, thuhej në komunikatën e kompanisë Z- Mobile.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë zyrtarët e Z-Mobile, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare tani e sa kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara. Një nga borxhet e Telekomit të Kosovës kap vlerën e më shumë se 25 milionë eurove që ka ndaj kompanisë me të cilën ka shkëputur kontratën, Z-Mobile.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovësështë pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës. Operatori Vala që funksionon në kuadër të Telekomit, ka më shumë se 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...