Marsh në kujtim të protestës së 1 tetorit 1997

Kosova

Marsh në kujtim të protestës së 1 tetorit 1997

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 15:06
Marsh në kujtim të protestës së 1 tetorit 1997

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim dhe organizata Admovere kanë përkujtuar sot protestën e 1 tetorit të vitit 1997, duke realizuar një marsh nga ish-ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, deri të Kampusi i sotëm i UP-së. Marshi u realizua në nderim te të gjitha familjeve që mundësuan arsimin në shtëpitë e tyre private në kohën kur mësimi shqipo ndalohej nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

22 vjet më parë, atëkohë Lëvizja Studentore organizoi protestë për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia, duke kërkuar kthimin e studentëve në objektet universitare prej ky ishin dëbuar nga regjimi i Millosheviqit.

Atë kohë, shtëpia e Xhevdet Shoshit ishte ndërtesa ku vepronte Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Sot, 22 vjet më vonë, pronari i shtëpisë ka dalur në rrugën e marshit, pranë shtëpisë së tij në Velani, për të kujtuar kohën kur regjimi serb i kishte shpërndarë dhunshëm.

Shoshi: Protestat e 1 tetorit më të organizuarat ndonjëherë

“Kanë qenë emocione kombëtare, ndoshta euforike për të gjithë popullatën e Kosovës ku edhe ne kemi marrë pjesë. Për moshën që e kam unë, i quaj protestat apo demonstratat më të organizuara ndonjëherë që ka mundur të bëjë rinia”, thotë ai.

Ai tregon se Velania ishte e mbushur me policë atë ditë nga njësitë policore që kishin ardhur nga Beogradi.

Shoshi: Forcat serbe na kanë shpërndarë me dhunë

“Kemi ndejt një kohë disa minuta qetë, nuk kemi lëvizë fare, ata nuk folshin, as ne asgjë, dikur pas disa kohe ka ardhur urdhëri që të përdorin dhunën ata, dhe ka filluar dhuna, ata që kanë qenë civil të përcaktuar u shihshin që janë duke folur kush kujna me ja ngjit, i kanë zënë këta profesor Ejupin, Avni Gecën, dsia studentë kryesorë, tjerët kanë ikur, edhe ne tjerët me ta kemi marrë turr nëpër shtëpi, disa ka pasur edhe të lënduar disa studentë”, kujton ai.

Aktivistët e ORCA-s dhe Admovere, u mblodhën sot para shtëpisë së familjes Shoshi, në rrugën që sot mban emrin 1 tetori, duke thënë se po përfundojnë marshin që studentët e atëhershëm nuk u lejuan ta qojnë deri në fund.

Gjinovci: Sot po e vazhdojmë marshin e ndaluar 22 vjet më parë

“Para 22 vjetëve ata e kanë ndalë, ne sot po e vazhdojmë marshin po shkojmë deri të Kampusi i Universitetit  të Prishtinës”, tha Rron Gjinovci nga ORCA.

Studentëve të atëhershëm iu kishin bashkuar edhe veprimtarë të ndryshëm, punëtorë e aktivistë shqiptarë, në mesin e tyre edhe ish-punëtori i Rilindjes, Behram Krasniqi.

Krasniqi iu bashkua marshit edhe sot për të kujtuar protestën e 97’ës, e cila sipas tij ishte paraqitja më dinjitoze e studentëve.

Krasniqi: 1 tetori ishte paraqitje dinjitoze e studentëve shqiptarë

“Kam emocione edhe pas 22 vjetësh, kur sot po e përkujtojmë 1 tetorin e vitit 1997. Mund të them se më të vërtetë ajo ishte  një paraqitje dinjitoze e studentëve përballë makinerisë vrastare të kriminelit Millosheviq, duke iu dalë ballë për ballë tankeve të shumta serbe dhe tyteve të mitrolozëve, kallashnikovëve serb, policëve serb, kështu që prej atij momenti jam i bindur se populli shqiptar e shpori frikën që ishte e ngulitur në popull, me propagandë shumë pacifiste, kështu qe ajo ishte një uvertyrë e mirë për luftën e ardhshme të UCK-së, e cila ishte më meritorja për lirinë që sot e gëzojmë e që fatkeqësisht nuk është ende ajo për çka rënë dëshmorët tanë”, thotë ai.

Ai thotë  se me gjithë dhunën e ushtruar nga forcat serbe, ka pasur edhe një qëndresë e studentëve dhe popullit shqiptar .

Atë kohë regjimi i Sllobodan Millosheviqit kishte vendosur masa të dhunshme ndaj shqiptarëve dhe kishte dëbuar studentë e profesorë nga universiteti, duke imponuar plan-program serb për mësim.

Protesta paqësore e studentëve më 1 tetor të vitit 1997, e prirë nga rektori tashmë i ndjerë, Ejup Statovci, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, ishte shpërndarë me dhunë.

Ngjarja konsiderohet prej më të rëndësishme të Lëvizjes Studentore dhe e njëjta ndikoi në faktorizimin ndërkombëtar në çështjen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat