Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë të trajtohen të barabartë në tregun e punës

Kosova

Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë të trajtohen të barabartë në tregun e punës

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 11:27
Foto

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, sot është mbajtur “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit”.

Me këtë rast u tha se sfidë mbetet respektimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara, ligj i cili rregullon edhe çështjen e punësimit të këtyre personave.

Përfaqësuese e GIZ, Kumrije Kelmendi-Aliu, tha se ky aktivitet është i pari i llojit të tij që organizohet në Kosovë.

"Programi Rinia, punësimi dhe aftësimi profesional e ka për qëllim rritjen e punësimit të të rinjve. 30 të rinj janë duke u trajnuar nga shoqata Down Syndrome Kosova. Ky aktivitet i pari që është na bënë shumë krenarë", tha ajo.

Nga Down Syndrome Kosova Kosovare Bunjaku, tha se personat me sindromën down duhet te kenë trajtim të barabartë në shoqëri.

"Kemi identifikuar anëtarët që janë për treg të punës, të cilët pastaj i janë nënshtruar trajnime dhe pastaj i kemi kontaktuar bizneset. Sot i kemi prezentë më të mirët. Personat me sindromën down duhet të kenë trajtim të barabartë në shoqëri dhe është një synim i tillë që na ka shtyrë të avokojmë për të drejtat e tyre. Sot do të avokojnë vetë anëtarët e shoqatës tonë", tha ajo.

Kryetari i Forumit Kosovar i Aftësisë së Kufizuar Bujar Kadriu, deklaroi se sfidë kryesore e tyre është mos respektimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara.

"Kemi sfidë bazike e që është respektimi i ligjit për aftësi të kufizuara. Po të ishte respektuar ky ligj nuk do të kishte problem për punësimin e personave me aftësi të kufizuara", tha ai.

Jehona Rexha, përfaqësuese nga Agjencia e Punësimit në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë personave me aftësi të kufizuara që të regjistrohen në zyrat e punësimit.

"Të gjithë personat me aftësi të kufizuara duhet të regjistrohen në zyrat e punësimit, pasi që është e vetmja mënyrë që ne t'i ndihmojmë të gjejnë një vend pune", tha ajo.

Gent Bakija nga Korporata Rugova, ku ka të punësuar persona me aftësi të kufizuara, tha se është kënaqësi të punojnë me persona të cilët, sipas tij janë të përgjegjshëm në punën që bëjnë.

"E kemi Besnikun që punon tek ne dhe është ndër të parët që vjen në punë. Është kënaqësi të punosh me persona të tillë", tha ai.

Aldi Hoxha anëtar i Down Syndrome Kosova, i cili është i punësuar u shpreh se i pëlqen të punojë dhe të jetë i pavarur financiarisht.

"Po më pëlqen shumë të punojë, kënaqem shumë", u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat