Eksperti i Balistikës: I akuzuari për vrasjen në Deçan kishte njohuri bazike të përdorimit të armës

Kosova

Eksperti i Balistikës: I akuzuari për vrasjen në Deçan kishte njohuri bazike të përdorimit të armës

Më: 5 mars 2020 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Eksperti i balistikës, Qëndrim Topalli, ka thënë se i akuzuari Shaban Gogaj, kishte aftësi të përdorimit të armës së zjarrit, sikurse mësimet në shkollat policore.

Për vrasjen në Deçan, që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018, Shaban Gogaj, akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Jusuf Cacaj, akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, eksperti Topalli, e ka elaboruar ekspertizën e realizuar lidhur me këtë rast.

Sipas ekspertit, në ekzaminimin e video-incizimit të ngjarjes kritike, kishte vërejtur aftësi bazike të përdorimit të armës nga i akuzuari Gogaj.

“Nga ekzaminimi i video-incizimit kemi vërejtur se pasi e merr armën në dorë ka kryer veprimin e mbushjes, repetimin e armës, ka marrë në shenjë dhe ka shkrep me armë. Bazuar në veprimet që ne kemi parë, kemi vërejtur se ka pasur njohuri bazike në përdorimin e armës së zjarrit, që tregon aftësi për përdorim të armës. I pandehuri ka njohuri lidhur më mënyrën e vendosjes së karikatorit dhe armës, gishtin e vendos në këmbëzën e armës dhe bën shënjestrimin”, tha eksperti Topalli.

Ai vlerësoi se mënyra se si i akuzuari kishte përdorur armën, është e njëjtë se si mësohet në shkollat e policisë, apo poligoneve.

Ndërsa, kur u pyet nëse mund të bëhet dallimi ndërmjet armës me predhën dhe asaj me gaz, dëshmitari Topalli, theksoi se ekzistojnë dy dallime ndërmjet tyre, në tytë dhe në karikator.

Mirëpo, sipas tij, dallimi tek tyta, nuk mund të vërehet me shikim vizual.

Mbrojtësi i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga ai të tregojë nëse gjatë gjuajtjes me armë nga i akuzuari, kishte pasur devijim të gjuajtjes, pasi sipas tij, sipas vijave të trajektoreve, gjuajtjet nuk ishin në drejtim të tani të ndjerit.

Eksperti Topalli, tha se çdo gjuajte ka devijim, mirëpo sipas tij, devijimi ka ndodhur pasi që predha ka dal nga tyta dhe ka marrë cakun dhe se vijat e trajektoreve ishin përcaktuar nga stabilizimi i armës deri te e shtëna.

Në këtë seancë, është aprovuar propozimi i mbrojtjes, që të urdhërohet një ekspertizë balistike plotësuese për të konstatuar nëse arma ka pasur karikator paraprakisht, ose nëse është mbushur më pas dhe të përcaktohet se në cilin sekondë është shtënë me armë.

Gjithashtu, është aprovuar edhe propozimi i përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava, që të ftohet eksperti tjetër i balistikës, Lutfi Raci.

Seancat e radhës janë caktuar më 14, 23 dhe 24 prill 2020, nga ora 10:00.

Ndryshe, këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon  të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Blow TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat