​Kurti: Duhet të mësojmë të zëmë peshk dhe jo vetëm të na ofrojë dikush peshkun për darkë

Kosova

​Kurti: Duhet të mësojmë të zëmë peshk dhe jo vetëm të na ofrojë dikush peshkun për darkë

Më: 10 mars 2020 Në ora: 18:36

(E plotësuar) - Në kuadër të fushatës zgjedhore për kryetar të Podujevës, kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka mbajtur sonte takim me të rinjtë dhe sportistët llapjanë, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Me këtë rast kandidati për kryetar të Podujevës Shpejtim Bulliqi ka shpalosur prioritetet e tij për qeverisjen lokale nëse merr besimin në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 15 marsit.

Bulliqi: Agim Veliu për një karrige të tij dëmtoi buxhetin për 500 mijë euro

“Ne patëm një kryetar të cilit ia besuan qytetarët votën dhe i cili për një karrige të veten për ta ndërruar nga niveli lokal në atë qendror dhe përveç që shkoi dëmtoi buxhetin e Kosovës dhe për atë karrige qytetarët e Kosovës po paguajnë gati gjysmë milion euro... Ne si LVV për të rinjtë tani do të interesohemi që në periudhën sa më të shkurtër kohore ta funksionalizojmë një bibliotekë të qytetit dhe për vite të tëra të rinjve tanë iu mungon një element kryesor sikurse është biblioteka... Pushteti ynë pas datës 15 menjëherë do të merret me këtë prioritet”, tha Bulliqi.

Bulliqi është zotuar edhe për depolitizimin e arsimit dhe të administratës komunale, investimet e huaja dhe punësimet, dyfishimin e buxhetit për bursa, krijimin e fushave sportive, zhvillimin e turizmit, mirëmbajtjen e ambientit dhe ndërtimin e një shtëpi të re të kulturës.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka thënë se kandidati i kësaj partie Shpejtim Bulliqi nuk është njeri i kompromiseve dhe se interesi i qytetarëve është me prioritet.

Kurti: Erdhi dita edhe në Llap

“Më 15 mars dhe të dielën mund të themi se erdhi dita edhe në Llap, erdhi dita edhe në Besianë edhe në Podujevë sepse po e bëjmë kryetar Shpejtim Bulliq in. Qysh tha profesor Fitimi duhet të mësojmë të zëmë peshk dhe jo vetëm të na ofrojë dikush peshkun për darkë. Dikur ka pasur peshk në lumin Llap, sepse ka qenë i pastër, por tash edhe bagëtia nuk e pi atë ujë, për shkak të ndotjes dhe mungesës së mirëmbajtjes dhe nuk ka zhvillim dhe ruajtje për mjedisi dhe ekonominë dhe ndryshimi në Llap është i domosdoshëm dhe ky ndryshim e ka emrin Shpejtim”, tha Kurti.

Kurti i bëri thirrje elektoratit llapjanë që më 15 mars të dalin dhe të votojnë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti: Unë e di pse Llapi do ta votojë Shpejtimin

“Unë e di pse Llapi do ta votojë Shpejtimin, sepse Llapi nuk e ka qejf as ngadalësimin e as rikthesën. Pra, as ngadalësim as rikthesë por Shpejtim. Kemi humbur shumë kohë me ngadalësime e me rikthesa, andaj duhet të ecim shpejt. Më 6 tetor Kosova vendosir për ndryshim politik. Më 15 mars duhet të vendosni për ndryshim tà « madh politik në Llap”, porositi kryeministri Kurti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, tha se rinia llapjane i jep mbështetje të fuqishme kandidatit të kësaj partie për të parin e Podujevës, pasi Shpejtim Bulliqi është personi që do të sjellë ndryshime në komunë.

Uka: Në vend të atij që iu servon peshk, zgjidhni atë që ju mëson si të peshkoni

“Pasi nuk e kemi mundësinë të kthehemi mbrapa, unë përpiqem t’ju ofroj disa këshilla për zgjedhjet e 15 marsit. Kjo rrugën që prisni ta merrni nga 15 marsi të mos e bëni me ata që ju kanë lënë në gjysmë të rrugës, pasi kjo mund të përsëritet dhe mund të mbeteni vetë serish. Bëjeni rrugën me ata që e dinë se ku është destinacioni... Është mirë t’i injoroni ata që ju ofrojnë ndihmë kur nuk duhet. Në vend të atij që iu servon peshk për sonte në mbrëmje dhe atij që iu mëson si të peshkoni, zgjidhni këtë fundit”, tha deputeti Uka.

Edhe deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci shprehu besimin se nën udhëheqjen e Bulliqit do të ketë ndryshime pozitive në Komunën e Podujevës.

Në zgjedhjet e parakohshme të 15 marsit në Podujevë konkurrojnë LDK me Nexhmi Rudarin, PDK me Naim Fetahun dhe Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin. Zgjedhjet mbahen pasi që kryetari aktual Agim Veliu dha dorëheqje për të marrë postin e ministrit të Brendshëm.

***

Në tubim merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat