Për shkak të coronavirusit, gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Gjilanit dhe të tjerëve do të vazhdojë në maj

Kosova

Për shkak të coronavirusit, gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Gjilanit dhe të tjerëve do të vazhdojë në maj

Më: 16 mars 2020 Në ora: 12:17
Qemajl Mustafa

Është anuluar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsion.

Kjo për shkak të masave të vendosura nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), për parandalimin e përhapjes së corornavirusit.

Konfirmimin për anulimin e seancës së paraparë për të hënën, për “Betimi për Drejtësi”, e ka dhënë ushtruesi i detyrës të kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, gjykatësi Sami Sharraxhiu.

“Është anuluar seanca gjyqësore dhe kemi ndërmarrë masa për shkak të numrit të madh të pandehurve dhe stafit të madh dhe për shkaqe sigurie, e duke u bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kemi anuluar seancën”, tha gjykatësi Sharraxhiu.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen me 18, 19, 20, 21 dhe 22 maj 2020, nga ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.

Kështu, Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të  vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Në këtë rast, PSRK ngarkon të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë çështje penale është veçuar procedura ndaj të pandehurit Burim Govori, i cili sipas raportit policor gjendet jashtë shtetit për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa ndaj Behar Mehmeti, gjykata ka marrë vendim për pushimin e procedurës penale për shkak se ai ka ndërruar jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat