Quni vizitoi organizatën e njohur ndërkombëtare të deminimit, HALO Trust

Kosova

Quni vizitoi organizatën e njohur ndërkombëtare të deminimit, HALO Trust

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 16:38
Pamje nga vizita

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni vizitoi sot, Organizatën për Mbështetjen e Jetërave në Zonat e Rrezikshme (Hazardous Area Life-support Organization), të njohur si, The HALO Trust – Programi në Kosovë. Me këtë rast, në selinë qendrore të saj, në Gjakovë, ministri Quni u prit prej menaxheres së HALO Trust–Programi në Kosovë, Olivia Meader, shoqëruar nga menaxheri i Operacioneve, Maxime Robitaille dhe administratori, Agron Boshtraj. Pasi i dëshiroi mirëseardhje, znj. Meader njoftoi ministrin Quni me misionin e organizatës, aftësitë dhe kapacitetet operacionale të angazhuara në programin për Kosovë që nga viti 1999 si dhe strategjinë për të ardhmen.

Nga ana e tij, ministri Quni shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e madh të HALO Trust – Programi në Kosovë, në misionin e tyre të shenjtë, që nga paslufta, në mbrojtjen e jetërave të qytetarëve tanë duke eliminuar dhe minimizuar vatrat potencialisht të rrezikshme nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera të mbetura nga lufta e fundit. Gjithashtu, ai vlerësoi lart edhe kontributin e madh të personelit të saj në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth minave tokësore dhe mjeteve tjera eksplozive të pashpërthyera si dhe rikthimin e qëndrimin e sigurt në vendbanimet e tyre. Ministri Quni, theksoi si shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë të HALO Trust me Qendrën Koordinuese të Deminimit të FSK-së si dhe mbështetjen e pandërprerë profesionale me përvojën operative të tyre për kontingjentin e Kompanisë së Deminimit të FSK-së me zotimin e përbashkët me znj.Meader për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Në fund, ministri Quni shprehu respektin e madh për misionin 32 vjeçar të HALO Trust me programe të veçanta në pjesën dërmuese të zonave post-konfliktuoze në shërbim të miliona jetërave civile anekënd Botës. Gjatë vizitës, ministri Quni shoqërohej nga drejtori i Qendrës Koordinuese të Deminimit të FSK-së, Ahmet Sallova, këshilltari i tij ushtarak, kolonel Hamdi Pollomi dhe zyrtarja e lartë e kabinetit, Martina Dedaj-Kqira.

The HALO Trust është një organizatë bamirëse anglo-amerikane e cila merret me asgjësimin e mbetjeve eksplozive të pashpërthyera të pasluftës, në veçanti minat tokësore. Kjo organizatë, aktualisht operon me rreth 6000 deminues në të gjithë botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat