Përmbyllet projekti “Akademia për lidership”, dedikuar vajzave dhe grave për vendimmarrje

Kosova

Përmbyllet projekti “Akademia për lidership”, dedikuar vajzave dhe grave për vendimmarrje

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:15
Përmbyllet projekti “Akademia për lidership”, dedikuar vajzave dhe grave për vendimmarrje

Forumi për Lidership dhe Diplomaci me mbështetje financiare të GIZ-it në Kosovë dhe përkrahje të Ambasadës gjermane, ka përmbyllur projektin “Akademia për lidership” në hotelin “Swiss Diamond”, projekt i cili u është dedikuar vajzave dhe grave për t’i fuqizuar me njohuri dhe përgatitur për vendimmarrje, si edhe pjesëmarrje në jetën publike.

Drejtorja ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, në prezencë të ambasadorit gjerman Joern Rohde, kryetarit të Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovëz, Skender Krasniqi, ambasadores findlandeze Pia Stjernval, ambasadores kroate Danijela Barishiq, ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, përshëndeti pjesëmarrësit dhe i falënderoi ata për prezencën e tyre në këtë ngjarje shumë domethënëse për vajzat e akademisë, duke dëshmuar përkrahje për këtë kategori.

 “A ka përfunduar misioni jonë me përfundimin e projektit? Jo, ne vetëm se kemi filluar një rrugëtim të gjatë drejtë arritjes së barazisë gjinore, rrugë në të cilën kemi shumë punë dhe duhet përkushtim i veçant. Se a do të arrijmë të përmbushim objektivat tona varet shumë nga puna dhe mundi jonë i vazhdueshëm, dedikim të cilin duhet të vazhdojmë si në ditën e parë që kemi filluar. Krahas përgatitjes për lidership dhe tema të ngjajshme, me rëndësi thelbësore ka qenë edhe mundësia për zhvillim profesional dhe punë praktike në institucione, organizata e biznese tjera të cilat i kanë ofruar mundësi vajzave që kanë qenë pjesë e projektit, të kryejnë punë praktike administrative”, deklaroi Emini.

“Me këtë rast falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Grupin e Grave Deputete, Grupin Parlementar të Lëvizjes Vetëvendosje, Komunën e Kamenicës, Kosovapressin, Komitetin Olimpik të Kosovës, Bankën TEB, Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe Klan Kosovën për mundësinë që u kanë ofruar vajzave për kryerjen e praktikës profesionale në këto struktura”, shtoi ajo.

Gjithashtu Ambasadori Gjerman dhe Kryetari i Bordit të Odës së Afaristëve të Kosovës, falënderuan Znj. Emini për organizimin, duke deklaruar mbështetje për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave në Kosovë për të përmirësuar nivelin e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat