Pandemia shumëfishon sfidat e minoriteteve në Podujevë

Kosova

Pandemia shumëfishon sfidat e minoriteteve në Podujevë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 11:34
Foto Ilustrim

Grupet e margjinalizuara në Kosovë (komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian), që shpesh ndajnë sfidat e përbashkëta, siç është racizmi dhe diskriminimi, historikisht gjithmonë preken më së shumti nga pandemitë dhe katastrofat natyrore.

Sfidat e shumëfishuara të këtyre komuniteteve si pasojë e pandemisë nuk janë lehtësuar pothuajse aspak nga Qeveria e Kosovës, e cila i ka futur në karantinë edhe këto komunitete, por nuk është interesuar nëse ata kanë ushqim, barna ose gjëra elementare për jetesë.

Rrahman Sejdiu, nga komuniteti ashkali, sa u përket sfidave që solli pandemia, tha për “Zërin” se të papunë janë qe shumë vite, por tashmë janë në dilemë se a t’i frikësohen më shumë virusit apo varfërisë.

“Ne të papunë jemi qe shumë vite, por pandemia na ka sjellë në një situatë ku ne nuk dimë se cilën ta kemi frikë më shumë, virusin dhe mungesën e barnave apo varfërinë”, thotë ai.

Komuniteti ashkali në Podujevë përbën 1,13% të popullsisë, që jeton kryesisht në qytetin e Podujevës, ndërsa komuniteti rom përbën 0,3% të popullsisë së kësaj komune e që jeton edhe ky komunitet kryesisht në qytet.

Natyrisht të gjitha komunitetet janë të përfaqësuara gjerësisht në kuadër të Komisionit Komunal për Komunitete dhe Zyrës Komunale të Komuniteteve, edhe pse në asnjë komunë këto institucione nuk kryesohen nga pjesëtarë të komunitetit rom.

Rrahim Sejdiu, pjesëtar i komunitetit ashkali në Podujevë, thotë se ai as që e njeh përfaqësuesin e tyre komunal, pasi sipas tij ai nuk ka ardhur kurrë që t’i shohë nga afër këto komunitete.

“Ne as që e njohim atë me e pa, e kemi votuar partinë e tij, por nuk ka qenë këtu asnjëherë”, theksoi Sejdiu.

Ndërkaq Liman Zeqiri, shef i Zyrës Komunale për Komunitete në Podujevë (ZKK), pohon për “Zërin” se gjendja e këtyre komuniteteve është tejet e rëndë, e cila është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë, por ai thotë se Komuna e Podujevës, përmes Zyrës për Komunitete, po u del në ndihmë.

“Duke e ditur gjendjen e tyre ekonomiko-sociale, në bazë të të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Qendra për Punë Sociale, asistencë sociale marrin 73 familje. Komuniteti ashkali 69, me 453 anëtarë të familjeve dhe 4 familje rome, me 36 anëtarë, gjithsej 489 anëtarë. Duke u bazuar në këto shifra, na lë të kuptojmë se gjendja ekonomiko-sociale është tejet e rënduar, sidomos në ditët pandemike. Mirëpo Komuna e Podujevës, përmes ZKK-së, me të gjitha mundësitë buxhetore dhe me ndihmën e donatorëve është duke u dalë në ndihmë”, deklaron ai.

Në 15 masat e parapara në Pakon fiskale emergjente të Qeverisë për disa kategori, vetëm një ka të bëjë me pakicat (masa e nëntë).

Sipas kësaj mase, Qeveria e Republikës së Kosovës ndau një shumë prej 2 milionë eurove për iniciativa dhe projekte që targetojnë përmirësimin e kushteve të minoriteteve, që janë goditur më shumë nga pandemia.

Por pjesëtarët e këtyre komuniteteve thonë se kanë marrë vetëm nga një pako, madje nga e cila nuk kanë përfituar as gjysma e pjesëtarëve të tyre.

Ramadan Sejdiu, si pjesëtar i komuniteteve në Podujevë, thotë se nga 55 familje të komunitetit të tij, vetëm 20 familje kanë marrë pako ushqimore, edhe atë vetëm gjatë muajit të Ramazanit, ndërsa vazhdojnë të kenë mungesë të pajisjeve higjienike, që janë esenciale për mbrojtjen ndaj infektimit me COVID-19.

“Vetëm gjatë muajit të Ramazanit kemi marrë pako ushqimore, por prej 55 shtëpi sa jemi, vetëm 20 familje kanë marrë, ndërsa kemi mungesë të pakove higjienike”, thotë ai.

Sipas organizatës “Amnesty International”, në Evropë jetojnë afërsisht 12 milionë romë dhe shumica prej tyre nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, energji elektrike dhe jetojnë në kushte të vështira, pa mjekësi adekuate. Romët kanë më shumë probleme shëndetësore, strehim më të keq dhe nivele më të ulëta të shkrim-leximit sesa njerëzit joromë.

Sejdiu thotë se nga ndihma sociale që ai merr nuk arrin t’i mbulojë shpenzimet e familjes së tij, me ç’rast nuk mund të paguajë as energjinë elektrike, e cila edhe i ndërpritet vazhdimisht. Por mbi të gjitha është detyruar që pesë fëmijët e tij t’i ndalë nga shkolla, ndërsa planifikon të ndalë edhe vajzën e tij, që është në klasë të 6-të, me nota shembullore.

“Që prejse ka përfunduar lufta kam problem me rrymë, nuk e paguaj sepse jetoj me një social me një familje 10-anëtarëshe. Kam gjashtë fëmijë, pesë i kam ndal prej shkolle për shkak të kushteve të këqija, edhe vajzën në klasën e gjashtë planifikoj ta ndal, edhe pse është nxënëse e shkëlqyeshme, sepse nuk mund t’ia blej librat”, thotë ai.

Ndërkaq, në përgjithësi pjesëtarët e komunitetit rom, më shumë sesa ata të komuniteteve të tjera, punojnë në sektorin joformal, madje në vende pune të rrezikshme, të pasigurta, të përkohshme, me gjysmë orari, me status të ulët (kryesisht punë fizike, që nuk kërkojnë shkathtësi të larta) e me paga të vogla, ndërkohë që edhe fëmijët romë vazhdojnë të jenë të zënë me punë.

Prandaj, shkalla e varfërisë te ky komunitet, e krahasuar në nivel kombëtar – individual për të ardhurat për kokë banori me komunitetet e tjera, është shumë e lartë dhe me tendencë të vazhdueshme të rritjes.

Sipas OJQ-së “Admovere”, vështirësitë kryesore të pjesëtarëve të komunitetit rom për punësim e krijojnë nivelin përgjithësisht të ulët të punësimit në Kosovë, mungesa e kualifikimeve për shkak të mosshkollimit, diskriminimi, shpërfillja, përjashtimi dhe korrupsioni, mungesa e lidhjeve me familjarë e miq të punësuar e të angazhuar nëpër parti politike etj. Për më shumë, qasja e tyre në shërbimet e punësimit dhe të trajnimit profesional, e siguruar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe organizatat e tjera, është e kufizuar për shkak se u mungon informacioni i mjaftueshëm për zyrat e punësimit dhe qendrat e aftësimit profesional.

Ndërkaq, për kushtet të cilat u krijuan për ndjekjen e mësimit për shkak të pandemisë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit janë publikuar disa udhëzime, tetë orare mësimi online, si dhe një dokument shpjegues mbi përdorimin e platformës “Zoom”. Mirëpo në asnjërin nga dokumentet nuk ka ndonjë masë specifike të ndërmarrë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

Po ashtu vendimi i Ministrisë së Arsimit për të vazhduar mësimin online ka vështirësuar procesin mësimor te minoritetet, duke marrë parasysh mungesën e pajisjeve elektronike mësimore, siç janë llaptopët ose telefonat.

Lidhur me këtë Zeqiri deklaroi se duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike, ka qenë e vështirë për nxënësit e këtyre komuniteteve ndjekja e mësimit online. Për këtë arsye ai shton se Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës ka pasur prioritet pajimin e nxënësve me pajisje elektronike, në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë qasje në mësimet online.

“Zyra Komunale për Komunitete në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe Komitetin e Komuniteteve ka vlerësuar se duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike ka qenë e vështirë për nxënësit e këtyre komuniteteve ndjekja e mësimit online, andaj Drejtoria e Arsimit ka pasur prioritet pajisjen e nxënësve me pajisje elektrike, në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë qasje në mësimet online. Do të vazhdojmë ndihmën në këtë sektor”, thotë ai.

Por Ramadan Sejdiu thotë se 11 llaptopë janë shpërndarë nga një organizatë vullnetare për fëmijë që të ndjekin mësimet online e shumë fëmijë kanë mbetur pa to, ndër të cilët edhe vajza e tij.

“Janë shpërndarë diku 11 llaptopë prej një organizate vullnetare, por vajza ime nuk ka marrë dhe nuk ka pasur mundësinë që t’i ndjekë mësimet online, por edhe të isha ankuar diku nuk isha marrë parasysh”, shprehet ai i dëshpëruar.

Një numër i madh i të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), ose nuk janë regjistruar në shkollë, ose e kanë braktisur atë. Si rrjedhojë, kjo pengon edhe përfshirjen e tyre në shoqëri. Shumë fëmijë nga këto komunitete e braktisin shkollën për shkak të varfërisë dhe nevojës për të fituar, në mënyrë që t’i ndihmojnë familjet e tyre.

Kështu Sejdiu, i cili tregon se 5 fëmijët e tij nuk e kanë vazhduar shkollimin, shprehet se një nga djemtë e tij kërkon gjëra ushqimore në koshat e plehrave të një supermaketi. Këto produkte janë zakonisht pa afat, nga çka rrezikojnë të helmohen.

“Njëri nga djemtë e mi shkon në mbeturinat e hedhura të ETC-së për me marrë diçka që na duhet për shpi, ato shpesh janë edhe pa afat, veç dashtë Zoti nuk helmohemi”, shprehet ai.

Sipas një studimi të bërë nga organizata joqeveritare “Admovere”, gati gjysma e romëve në Kosovë deri vonë nuk kanë qenë të regjistruar si banorë të Kosovës, gjë që i ka penguar të përfitojnë nga shërbimet administrative dhe sociale. Vendbanimet joformale të tyre mbeten problem dhe kushtet e jetesës janë jashtëzakonisht të pasigurta.

Të njohura me Kushtetutën e Kosovës si tri komunitete të ndryshme minoritare, me regjistrimin e popullsisë dhe banesave në vitin 2011 janë regjistruar 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë, në total 35.784 pjesëtarë, që përbën rreth 2,05% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Megjithatë, këto komunitete (dhe të rinjtë në veçanti) vazhdojnë të jenë në pozitë të pafavorshme në shumicën e sferave të jetës, të krahasuara me komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat