Avokati i Popullit: Mungesa e strehimit për qentë endacakë është problem serioz

Kosova

Avokati i Popullit: Mungesa e strehimit për qentë endacakë është problem serioz

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 11:47
Foto ilustrim

Avokati i Popullit ka publikuar raportin me rekomandime Ex-officio në lidhje me rrezikun që u kanoset qytetarëve nga qentë endacakë.

Qëllimi i këtij raporti është tërheqja e vëmendjes së institucioneve shtetërore për trajtimin dhe ndërmarrjen e masave përkatëse lidhur me rrezikun nga qentë endacakë ndaj qytetarëve, në veçanti ndaj fëmijëve, përkitazi me mbrojtjen e jetës dhe sigurinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet si dhe me instrumentet e tjera ndërkombëtare.

“Pas rishikimit të legjislacionit përkatës, të instrumenteve ndërkombëtare, të dokumentacionit të çështjes si dhe të të dhënave të cilat Institucioni i Avokatit të Popullit i ka në dispozicion, rezultoi se në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, përkatësisht të të drejtave të fëmijëve, pasi institucionet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese, ligjore e as standardet ndërkombëtare, të zbatueshme në Republikën e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha masave për mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku që u kanosej nga qentë endacakë”, thuhet në njoftimin për media.

Avokati i Popullit vëren se përkundër përpjekjeve të disa komunave për t’u përballur me çështjen e trajtimit të qenve endacakë, gjendja nuk ka ndryshuar shumë për shkak të mungesës së një plani kombëtar dhe të moskoordinimit ndërkomunal dhe ndërinstitucional që do ta adresonte atë.

“Avokati i Popullit vlerëson se mungesa e strehimit për qentë endacakë është problem serioz në nivel vendi dhe komunat nuk kanë qendër për trajtim të përkohshëm të kafshëve si dhe nuk kanë siguruar një vend të veçantë për hedhjen e sigurt të kafshëve të ngordhura, sipas Udhëzimit Administrativ nr.04/2017. Raporti jep rekomandime specifike dhe konkrete për veprimet që duhet t’i ndërmarrin institucionet përkatëse shtetërore lidhur me çështjen”, thuhet më tej në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat