Ekzekutivi i Shtimes me shoqatat e dala nga lufta me deklaratë të përbashkët për 28 Nëntor

Kosova

Ekzekutivi i Shtimes me shoqatat e dala nga lufta me deklaratë të përbashkët për 28 Nëntor

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 21:43
Ekzekutivi i Komunës së Shtimes

Ekzekutivi i Komunës së Shtimes në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 nëntorit, në bashkëpunim me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Shoqatën e Invalidëve të UÇK-së dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Shtime, kanë nxjerrë edhe një deklaratë të përbashkët për të shprehur mbështetjen dhe konsideratën për luftën e UÇK-së, drejtuesve të saj dhe, siç thonë ata, popullit të Kosovës.

Po ashtu me këtë deklaratë kanë shprehur bindjen se e vërteta, e drejta dhe e vërteta për pastërtinë e Luftës së UÇK-së dhe liderëve të saj do të triumfojë.

“UÇK në bashkëpunim me Aleancën Veri-Atlantike NATO, gjatë viteve 1998-99, veproi në mbrojtje të popullatës civile dhe kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, policisë e ushtrisë serbe dhe se përdorimi i armëve ishte mjeti i imponuar nga rrethanat, pasi populli shqiptar, në çdo kohë, ka qenë i gatshëm për të përqafuar zgjidhjet diplomatike e paqësore”, thuhet në deklaratë të nënshkruar nga kryetari i komunës Naim Ismajli dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta.

Sipas tyre marrëveshja historike e Rambujesë për t’i dhënë zgjidhjen paqësore krizës, çarmatosja e menjëhershme e pa rezistencë e UÇK-së me hyrjen e forcave të NATO-së; respektimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, nga tërë forcat politike, në Kosovën e çliruar; ndërtimi i institucioneve dhe shpallja e pavarësisë janë dëshmi që liderët e UÇK-së dhe populli i Kosovës i dhanë botës ndërkombëtare dëshminë që jemi popull paqësor dhe liridashës.

“Legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është pranuar dhe vlerësuar si i tillë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që është segment i OKB-së; njohja e së drejtës së tij për liri e pavarësi e shpreh dhe fakti i njohjes së Pavarësisë së Kosovës prej 112 shtetesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën dërmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe anëtarësimi i saj në shumë institucione ndërkombëtare janë fakte historike të cilat mbështesin këto që u thanë më lartë”, thuhet në deklaratë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat