6,639 raste aktive me coronavirus në Kosovë, IKSHPK apelon për respektim të masave

Kosova

6,639 raste aktive me coronavirus në Kosovë, IKSHPK apelon për respektim të masave

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 07:23
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 66.380 raste nga 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.572 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.169 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.639.

Instituti thekson se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

“Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore… IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”.

IKSHPK rekomandon:

Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;

Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;

Ndalimi rigoroz i tubimeve;

Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;

Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat